Tri herë në një javë, tri ditë para seancës: Refuzimet e Kurtit për t’u përgjigjur se a i ka numrat

Tri herë brenda javës dhe tri ditë para seancës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në largim, Albin Kurti ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen se a i ka numrat për formimin e Qeverisë, ani se me të përfunduar zgjedhjet e nëntë shkurtit, ishte shprehur i bindur për një gjë të tillë.

Gjatë vizitës së tij në Koshare ai u pyet nga mediat, mes tjerash, dhe për refuzimin që ia bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takim konsultativ.

Megjithatë, siç shihet në pamjet më poshtë, Kurti refuzoi të flasë.

Njëjtë, Kurti veproi edhe në ditën kur shkoi për t’u regjistruar si deputet i Kuvendit të Kosovës, aty ku e rrethuan gjashtë roje sapo i panë gazetarët duke u afruar.

Edhe të shtunën pas përurimit të pikëkalimit të përbashkët “Hani i Elezit – Bllacë”, ai i është shmangur pyetjeve të vazhdueshme nga gazetarët për seancën e 15 prillit.

Ndonëse disa herë e pyetën se a i ka numrat, Kurti vendosi të flasë për një mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Mbledhja e dy qeverive ka qenë në nëntor, ju po e shihni sa shpejt e mirë është realizuar në prill, urime të gjithëve. Besoj që kjo mbledhje që kemi mbajtur në nëntor në Prishtinë, mes dy qeverive, ka qenë vendimtare me protokollin e zbatimit për një realizim konkret, praktik dhe të shpejtë” – ka thënë ai.

Konjufca e pranoi: S’e kemi arritur qëllimin

Pak ditë më parë, numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, bëri me dije se qeveria e re nuk mund të formohet pa bërë koalicion me ndonjërën prej partive opozitare.

Pas takimit kishte me përfaqësuesit e partive politike, në cilësinë e ish-kryetarit të Kuvendit, Konjufca theksoi se kjo parti në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e ka arritur synimin e saj.

“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm” – ka thënë ai, trasnmeton Nacionale.

Madje, ish-kryeparlamentari e theksoi qartë se nuk i duket e mundur që VV-ja ta formojë Qeverinë vetëm.

“Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme” – tha Konjufca.