Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu ka konfirmuar për KosovaPress kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Vendimi i marrë sot nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji prek të gjitha kategoritë e konsumatorëve në vend.
Ky shtrenjtim nga ZRRE, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike opozitare dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.
“Kur s’të del për bukë, nuk të del as drita”, “Rroga s’na del për të jetuar, ju na e rritni rrymën”, “Kjo nuk është jetë, është mbijetesë”! Këto ishin disa prej sloganeve të qytetarëve që protestuan për herë të dytë në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinë e deri te zyrat e ZRRE-se, me prani të Policisë së Kosovës” kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Njëri nga aktivistët e grupit “Asnjë cent më shumë” Besnik Shabiu tha se thirrja e qytetarëve nga protesta e kaluar shkoi në vesh të “shurdhër”. Ai paralajmëroi se do të dërgojnë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës për rritjen e çmimit të rrymës nga ZRRE-ja.
Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mbajti mbledhjen për të vendosur për këtë çështje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRRE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës.
Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje. Bizneset dhe qytetarët, u tha në konferencë për media, se nuk duhet të paguajnë dështimet e institucioneve.
Ndërkaq mbi 500 ankesa ishin prej qytetarëve në ZRRE për të kundërshtuar shtrenjtimin.
Derisa Presidenca e Kosovës e kundërshtoi propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë tha se rritja nuk duhet t’i prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh. Zyra e Rregullatorit të Energjisë- do të sjellë valë të re shtrenjtimi në treg. Buka, produktet e qumështit dhe të tjera. Kujtojmë se kjo rritje e tarifave, është për herën e tretë nga 2022.