Mbrëmjen e 1 prillit, Kosova u trondit nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika. Ai u qëllua për vdekje para banesës së tij në Kaçanik dhe si pasojë e plagëve të rënda humbi jetën. Tashmë kanë kaluar dhjetë ditë që kur ndodhi krimi, mirëpo akoma asnjë person nuk është arrestuar në lidhje me këtë rast. Madje, të dyshuarit as nuk janë identifikuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, aty ku ndodhej ndërtesa në të cilën banonte rreshteri Lika.
Për motive të panjohura, polici u qëllua me armë zjarri para shkallëve të banesës ku jetonte, gjatë kohës që po kthehej nga puna.
Fillimisht u raportua se bëhej fjalë për një tentim-grabitje të armatosur, por nuk doli të ishte e vërtetë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj bëri të ditur se krimi është kryer nga dy persona, të cilët menjëherë janë larguar nga vendi i ngjarjes duke ecur në këmbë, e dhjetë ditë pas krimit, ndodhen ende në arrati.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, kishte deklaruar për mediat se vrasja ka qenë e qëllimshme.
Madje, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë qenë e planifikuar.
“Me siguri të plotë mund të themi se nuk bëhet fjalë për grabitje. Viktima ka qenë duke u kthyer nga puna në orën 23:00 dhe po shkonte në banesën e tij. Sipas provave, qëllimi i autorëve ka qenë ekzekutimi i tij dhe jo ndonjë grabitje. Përderisa kanë qenë dy persona të përfshirë, mund të jetë vrasje e planifikuar”, kishte potencuar Çerkini në konferencën e thirrur për media, raporton sinjali.
Sa i përket mundësisë që rreshteri Lika mund të ketë pasur ndonjë konflikt, kryeprokurori kishte theksuar se nuk ka asnjë informacion që ai kishte pasur probleme.
“Rreshteri Muhamed Lika njihej si një person tejet profesional dhe nuk kemi asnjë indikacion, qoftë më të voglin, që gjatë punës ai ka pasur ndonjë problem me ndokënd, qoftë për shkak të procedurave policore apo ndonjë çështje personale që do të na ndihmonte të zbardhim motivin e kësaj vrasjeje”, ishte shprehur Çerkini.
Në anën tjetër, Prokurori i çështjes, Ismet Rrahmani, kishte bërë të ditur se rreshteri është qëlluar vetëm me një plumb fatal.
“Plumbi ka qenë tejshkues dhe viktima nuk ka pasur jelek antiplumb. Ka qenë në orarin e tij të zakonshëm të pasdites”, kishte potencuar ai.
Një tjetër detaj tjetër që doli në pah rreth dhjetë ditë më parë, i cili akoma nuk dihet nësë mund të ketë lidhje me rastin apo jo, është se në vitin 2021, lokalit të rreshterit Likai ishte vënë zjarri.
Rreshteri Muhamed Lika u varros më 2 prill, ndërsa nga ai moment autoritetet kompetente nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur më zhvillimet e rastit tragjik.
Sinjali ka pyetur Policinë në lidhje me zhvillimet e këtij rasti dhe të njëjtit kanë konfirmuar se të dyshuarit nuk janë arrestuar akoma.