Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar në favor të një draft-rezolute për Kosovën, në të cilën, ndër të tjera, kërkohet heqja e menjëhershme e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.
Autor i raportit është eurodeputeti Riho Terras, raportues për Kosovën në këtë institucion, i cili theksoi se vendi i Kosovës e ka vendin në Bashkimin Evropian.
Miratimi i kësaj draft-rezolute është mirëpritur edhe nga deputetë të tjerë evropianë.
Deputetja britanike Alicia Kearns e ka cilësuar si një zhvillim të vonuar, por të domosdoshëm.
“Lajm i vonuar prej kohësh dhe jashtëzakonisht i mirëpritur – ekuilibri duhet të kthehet në botë, dhe veçanërisht në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit. Shpresoj që këto thirrje të merren parasysh,” ka deklaruar Kearns.
Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ishin vendosur si reagim ndaj krizës në veri të vendit, sidomos pas tensioneve të rënda në komunat me shumicë serbe në vitin 2023.
Këto masa u prezantuan nga BE-ja si një mënyrë për të shtyrë autoritetet kosovare që të ndërmarrin hapa konkretë drejt de-përshkallëzimit të situatës dhe bashkëpunimit më të madh me komunitetin ndërkombëtar.
BE-ja i ka kushtëzuar heqjen e këtyre masave me hapa të qartë nga Qeveria e Kosovës në drejtim të uljes së tensioneve në veri, përfshirë organizimin e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrje të serbëve dhe bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare si EULEX dhe KFOR.
Tani që Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar në favor të heqjes së menjëhershme të këtyre masave, kjo mund të sinjalizojë një ndryshim në qëndrimin e institucioneve të BE-së dhe një vlerësim më të balancuar të situatës në terren.