Presidenti francez tha se njohja mund të finalizohet gjatë konferencës së bashkëorganizuar me Arabinë Saudite në New York.
Franca mund të njohë shtetin e Palestinës “në qershor”.
Kështu tha presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një konference ndërkombëtare të bashkëkryesuar me Arabinë Saudite.
“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt e ardhshëm”, tha Macron në një intervistë të transmetuar në France 5.
Ai tha se konferenca e planifikuar për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, që pritet të zhvillohet në New Jork, mund të shënojë një pikë kthese.
“Qëllimi ynë është të kryesojmë këtë konferencë (për Palestinën) me Arabinë Saudite diku në qershor, ku mund të finalizojmë këtë lëvizje të njohjes reciproke nga disa palë”, tha ai.
Vërejtjet e tij vijnë mes thirrjeve ndërkombëtare në rritje për një zgjidhje politike të konfliktit në Gaza, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 50 mijë njerëz që nga tetori 2023, dhe mosmarrëveshjes më të gjerë izraelito-palestineze.
Në shkurt 2024, Macron tha se njohja e një shteti palestinez “nuk është një tabu për Francën”, duke nënvizuar se një veprim i tillë është një domosdoshmëri morale dhe politike.
“Ne ia detyrojmë atë palestinezëve, aspiratat e të cilëve janë shkelur për një kohë të gjatë. I detyrohemi izraelitëve që përjetuan masakrën më të madhe antisemite të shekullit tonë. I detyrohemi një rajoni që dëshiron t’i shpëtojë nxitësve të kaosit dhe mbjellësve të hakmarrjes”, tha ai në atë kohë.
Aktualisht, 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin shtetin e Palestinës. Majin e kaluar, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia iu bashkuan listës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të BE-së që japin njohje në 10.