Ndërsa vëmendja e Evropës është përqendruar te Ukraina, tensionet në Ballkanin Perëndimor “kanë zier”.
Liderët e rajonit – si dhe në Britani – shqetësohen se presidenti rus Vladimir Putin do ta përdorë momentin për të shfrytëzuar më tej “linjat e prishjes” në ish-Jugosllavi, shkruan Politico në artikullin e saj.
Ballkani Perëndimor përshkruhet si “vatra tjetër e nxehtë” nga figurat në nivelet e larta të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Me nxehtësinë që po ndizet tani, Britania po shtyn që të gjashtë shtetet e rajonit t’i bashkohen BE-së për të shmangur ndikimin rus, vijon faqja e lajmeve.
“Në këtë kohë, me luftën në Evropë dhe duke parë dorën e zgjatur të ndërhyrjes ruse gjithashtu në rajon, do të ishe budalla nëse do të largoje shikimin nga Ballkani Perëndimor, ku ka ende çështje të trashëguara që ende nuk janë kapërcyer”, tha për Politico-n Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, gjatë një vizite në rajon javën e kaluar.
“Interesat e Putin-it këtu janë të mbajë rajonin të destabilizuar. Është në interesin e tij të mbajë në këmbë vendet që përbëjnë Ballkanin Perëndimor, të ketë një popullsi të destabilizuar dhe të zhvillojë një luftë kibernetike dhe hibride”, shtoi zyrtari i lartë britanik, transmeton albanianpost.
Ekspertët dhe ministrat e politikës së jashtme druhen se Kremlin-i do të përpiqet të përfitojë nga tensionet e thella etnike dhe fetare për të nxitur trazira të mëtejshme në të gjithë Ballkanin, duke rrënjosur interesat e Rusisë dhe duke krijuar akoma më shumë telashe në oborrin e pasmë të BE-së.
“Tani për tani ata duhet të ecin përpara ose do të vazhdojnë të jenë shesh lojërash për Rusinë”, tha një zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar, i cili diskutoi në anonimitet çështje që nuk ishin të autorizuar t’i komentonin publikisht.
Tani ekziston “një dritare mjaft e vogël” në të cilën shtetet e Ballkanit duhet “të ndalojnë së qenuri neutral” përpara se Brukseli të konsumohet nga pranimi i Ukrainës, thanë ata./Politico/