Qoftë më 12 prill, apo më 16 maj, logo do të jetë e njëjtë, por morali dhe slogani do të ndryshojnë.
Kuqezi, mbështjellë rreth yllit verdheblu evropian.
Qoftë më 12 prill, apo më 16 maj, logo do të jetë e njëjtë, por morali dhe slogani do të ndryshojnë.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, priti përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, zv.presidenten e Komisionit, Kaja Kallas dhe natyrshëm që bisedimet për zhvillimin e Komunitetit Politik Evropian, i pritshëm në Tiranë më 16 maj, kanë qenë në tryezë.
U përzje megjithatë pashmangshëm me fushatën e brendshme elektorale në Shqipëri.
Zgjedhjet mbahen vetëm pak ditë përpara Samitit të madh dhe ky i fundit, së bashku me aderimin në BE, janë bërë pjesë integrale e fushatës së kreut socialist.
Edi Rama, në një “all time fashion” siç e ka zakon, publikoi sloganin e hapjes së fushatës elektorale më 12 prill, me në vëmendje rrugën drejt BE-së (që vetëm socialistët e bëjnë sipas tij) dhe me një yll mes yjesh, që ngjante i çuditshëm.
Verdheblu në mes, i rrethuar nga një motiv kuqezi, si një yll në formim.
Rrethuesit, 12 syresh. Si 12 qarqet ku garohet më 11 maj, në të cilët sërish slogani socialist do të jetë ai i të kthyerit të tyre në “Evropë”.
Orë më pas situata u kuptua më qartë. Ylli i veçantë në fakt ishte logoja zyrtare e Komunitetit Politik Evropian të 16 majit në Tiranë.
Slogani: Evropa e Re në një Botë të Re.
Krahasimisht, Shqipëria 2030 në BE, si slogan i të majtëve.
Njëra e kontekstualizuar. Tjetra në ndërtim e sipër.
Basti kryeministror është i qartë: Një fushatë me BE-në dhe BE-ja për fushatë.
Aty luhet loja e të majtëve.
Por përtej simbolikës elektorale, 16 maji është një datë reale me peshë gjeopolitike.
Shqipëria, një vend ende në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, do të jetë për një ditë epiqendra e Evropës së re – asaj që po kërkon të riformulojë identitetin e saj në një botë që ndryshon me ritme të shpejta.
Këshilli i Ministrave ka miratuar një buxhet shtesë prej 452.8 milionë lekësh, për të garantuar një organizim të denjë për takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ky takim do të sjellë në Tiranë liderët më të lartë të Evropës dhe partnerëve të saj, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, energjisë dhe bashkëpunimit politik – në një moment kur kufijtë midis BE-së dhe fqinjëve të saj po rishkruhen.
Shqipëria e gjen veten në një pozicion unik: si vend kandidat për anëtarësim, si mikpritëse e një forumi që nuk është thjesht institucional, por edhe civilizues në natyrë. Një mundësi që e vendos Tiranën në hartën e vendimmarrjes evropiane, qoftë edhe përkohësisht, por me domethënie.
Presidenti Bajram Begaj ka marrë garancitë se EPC-ja do të mbahet pas përfundimit të zgjedhjeve, për të shmangur ndërlikimet institucionale.
Edi Rama, në Budapest, ku mori stafetën e mikpritësit të radhës, deklaroi se EPC-ja është një nga ato projekte që vetëm vite më parë do të dukeshin të pamundura për Shqipërinë. Tani, jo vetëm që janë të mundura, por edhe të kurorëzuara me fjalë të mëdha: “optimizëm”, “rrugë e re”, “Shqipëria në Evropë”.
EPC-ja, e lindur si ide franceze për t’i dhënë një kornizë gjeopolitike bashkëpunimit me vendet jashtë BE-së, vjen si përgjigje ndaj vakumit që la pas agresioni rus në Ukrainë.
Është një përpjekje për të integruar në mënyrë më fleksibël ato shtete që ende nuk janë zyrtarisht pjesë e bllokut, por që ndajnë të njëjtat shqetësime dhe aspirata.
Për Shqipërinë, ky forum është si një dhomë pritjeje me dritare të hapura.