Mbledhja e fundit e KK-së në Shtime cilësohet e kundërligjshme nga monitoruesit

Kuvendi Komunal në Shtime më 3 prill të këtij viti ka mbajtur mbledhjen e radhës, por materiali dhe ftesat për kuvendarët nuk janë bërë 7 ditë pune më herët siç e kërkon neni 43 i Ligjit Nr. 03/L-040. Njoftimi i parë për këtë mbledhje ishte dërguar më 26 mars i pa plotësuar dhe pa materialet e nevojshme.

Kjo çështje ka nxitur reagimin e monitoruesve të kuvendit nga organizata ‘’ Youth Association for Human Rights’’. Sipas kësaj organizate MAPL-ja duhet të marrë masa dhe t’ i anulon vendimet që janë marrë në mbledhjen e 3 prillit pasi që janë bërë shkelje procedurale.

Bekim Krasniqi, drejtor në këtë organizatë, ka thënë se organizata ‘’Youth Association for Human Rights’’, në cilësinë e saj si monitoruese e transparencës dhe ligjshmërisë në funksionimin e pushtetit lokal, reagon ashpër ndaj shkeljes së procedurave ligjore në thirrjen e mbledhjes së fundit të Kuvendit Komunal në Shtime, të mbajtur më 03.04.2025.

Sipas tij, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, konkretisht me nenin 43, paragrafi 3, ku thuhet qartë: “Të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës duhet të njoftohen paraprakisht me shkrim, ashtu siç kërkohet, shtatë (7) ditë pune para mbajtjes së mbledhjes.”

‘’Sipas të dhënave të siguruara nga monitorimi ynë, ftesa për mbledhjen e mbajtur më 03 prill 2025 është publikuar dhe u është shpërndarë asamblistëve më 26 mars 2025, duke mos përmbushur afatin ligjor prej shtatë ditësh pune. Edhe pse në ftesë figuron data e protokollit 24.03.2025, fakti që ajo është shpërndarë dhe bërë publike më 26 mars, bie në kundërshtim me afatin ligjor’’, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, ky veprim përbën një shkelje të hapur të procedurës dhe e bën të pavlefshme mbledhjen, duke kërkuar që ajo të përsëritet në përputhje me ligjin.

‘’Ftojmë institucionet komunale, në veçanti Kryesuesin e Kuvendit, që të respektojnë në përpikëri ligjet në fuqi dhe të sigurojnë një proces vendimmarrës transparent dhe ligjor, në shërbim të interesit të qytetarëve të Komunës së Shtimes’’, ka thënë Krasniqi.

Telegrafi ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke i pyetur për vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj mbledhjeje por edhe për rekomandimet që do t’ia dërgojnë Komunës së Shtimes, por deri në momentin e raportimit nuk janë përgjigjur.

Përgjigje rreth kësaj çështje nuk ka kthyer as Komuna e Shtimes.

Telegrafi ka pyetur edhe kuvendarët në Shtime për të kuptuar se kur e kanë pranuar materialin për mbledhjen e fundit.

‘’Në datën 03.04.2025, mbledhja e Kuvendit të Komunës së Shtimes është mbajtur në shkelje të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, pasi anëtarët nuk janë njoftuar siç kërkohet me ligj, shtatë (7) ditë pune përpara mbledhjes. Njoftimi i parë ka qenë i paplotë dhe materiali i plotë është dërguar vetëm tre ditë para mbledhjes’’, ka thënë nëpërmjet një përgjigje me shkrim kuvendari i PDK-së Rrahman Jakupi./Telegrafi/