Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është dorëzuar.
Ai e ka pranuar sot se kjo parti nuk mund t`i formojë e vetme institucionet e raja.
Pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e partive politike, në cilësinë e ish-kryetarit të Kuvendit, Konjufca ka bërë me dije se kjo parti në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e ka arritur synimin e saj.
“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë Konjufca.
Ai ka vlerësuar se skenari A i LVV-së tani nuk është i mundshëm.
“Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”, është shprehur ai.
Duke komentuar ftesën e VV-së për takim më LDK-në, nënkryetari i LVV-së ka thënë se për formimin e institucioneve të reja partitë politike duhet të bashkëpunojnë.
“Letra me sa kam njohuri i është drejtuar vetëm LDK-së. Kurse gjuhën do ta përdorim, gjuhë të bashkëpunimit, partneriteti, sepse ju mund ta merrni parasysh, merrni me mend, tensionet e polarizimet që ndodhin gjatë fushatës, e të cilat i kemi pas edhe në legjislaturën e 8, në fund të fundit të gjithë zgjohemi në mëngjes, e shohim rezultatin e zgjedhjeve, dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet në urrejtje e dashuri”, ka thënë ai, duke shtuar se ia zgjat dorën e bashkëpunimit secilit.
“Politika është me i kuptu interesat, e interesat që përfaqësojmë nuk janë tonat personale, janë të Kosovës. Nuk ka prej shprehjeve që përdore ti, këtu është bashkëpunimi, përpjekja me çu Kosovën përpara. Demokracia e politika e kërkon pikërisht këtë, që duke u bërë bashkë, të lidhen forcat. Ato që ndodhin gjatë fushatës, shprehje kemi dëgjuar shumë të rënda edhe nga opozita, por mua nuk më ka mbetur hatri prej atyre shprehjeve, dhe ia zgjati dorën e bashkëpunimit secilit”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se partia në pushtet ende nuk e ka propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Sa i përket kryetarit të Kuvendit, VV-ja ende nuk e ka dhënë emrin. Kjo me siguri mendoj që të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës, e cila do të shndërrohet në qeveri, i nënshtrohen disa principeve, e një prej tyre është përpjekje me themelu qeverinë. Kuvendi nuk është qëllim në vetvete, Kuvendi themelohet me i zgjedhë institucionet e tjera, më e rëndësishmja është ekzekutivi i cili qeverisë shteti”, ka thënë Konjufca.
Duke folur për formimin e qeverisë së re, ai ka bërë me dije se ajo është e pamundur të formohet pa një koalicion.
“Kur jemi te qeveria është e pamundshme pa e themelu një koalicion, që krijon mazhorancën e aftë me 61 vota, për ta themeluar qeverinë e ri. Unë do ta kisha futur këtu edhe kryetarin e Kuvendit, i nënshtrohen këtij principi”, ka thënë Konjufca.
Ndër të tjera, Konjufca ka dhënë detaje se çka është diskutuar në takim me partitë politike.
“Të nderuar gazetarë, faleminderit për këtë interesim kaq të madh për ta përcjellur këtë mbledhje të cilën e pata me përfaqësues të partive politike. Kjo është natyrisht një mbledhje të cilën e parasheh rregullorja jonë, e Kuvendit. Në këtë mbledhje caktohen ulëset e partive politike të prezantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe bashkë me ta e diskutova skenarin, përmbajtjen e mbledhjes që e themelon legjislaturën e 9. Këto bëhen në bazë të rezultateve të certifikuara nga KQZ-ja”, ka thënë ai, duke dhënë detaje për caktimin e ulëseve.
“Gjithçka shkoi mirë, u caktuan ulëset, nuk ka ndryshim shumë të madh sa i përket ulëseve në Kuvend mes ulet partia me më së shumti ulëse VV-ja, krahu i majtë dhe i djathtë janë siç kanë qenë, PDK dhe LDK. AAK-ja u deklaruar vetë, ulet ku ka qenë. Pakicat me të njëjtin radhë. Skenarin me ndryshime të vogla, simbolike me qysh e kemi pas legjislaturën e 8 e biseduam me të gjithë përfaqësuesit që ishin këtu, 15 prej tyre. Dallimet janë të vogla me legjislaturën e 8, sepse ne nëse po iu kujtohet e patëm miratu një rregullore të re, aty specifikohen normat që na ndihmojnë me themelu legjislaturën e 9. Shkoi mirë”, është shprehur Konjufca.
Konjufca tregon pse Kurti e zbuti gjuhën ndaj atyre që i quajti “hajvanë”