Zyrtarisht ‘kaput’ loja e Kurtit në Maqedoni

Jetëgjatësia e koalicionit VLEN duket se nuk ka qenë më shumë se një vit. I themeluar më 17 shkurt 2024, me përkrahje të vazhdueshme e instrumentalizim nga partia e Albin Kurtit, ky koalicion rrihte gjoks se do ta vinte në vend nderin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ashtu siç kishin paralajmëruar plot kritikë se një ndërhyrje e tillë nga Kosova do t’i përçante edhe më fort shqiptarët, ashtu edhe ndodhi. Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, ka lënë hapur mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në e Ali Ahmetit, kurse katër partitë e mbetura të VLEN-it, Lëvizja Demokratike, Alternativa, Besa dhe Vetëvendosja, kanë paralajmëruar se do të shkrihen në një.

Col Mehmeti

Ai që para një viti nisi si koalicioni VLEN, tani është në fije të perit.

Koalicioni, që ishte ‘bekuar’ nga kryeministri Albin Kurti dhe Vetëvendosja, duket se është në ditët e tij të fundit.

Sot, VLEN-istët e tjerë kanë akuzuar Aleancën për Shqiptarët, krahun e Arben Taravarit, si e vetmja parti që nuk ka “vija të kuqe” për BDI-në e Ali Ahmetit.

Në një prononcim për mediet, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka kërkuar nga partia e Taravarit që të sqarojë pozicionin e saj, meqë, sipas tij, nuk mund të jesh edhe pjesë e VLEN-it, edhe të bashkëpunosh me BDI-në.

“I vetmi që ka dilema dhe e sheh si opsion bashkëpunimi BDI-në, është zoti Taravari. VLEN-i është antipod i BDI-së, dhe bashkëpunimi me BDI-në nuk ka logjikë. Në atë moment që bashkëpunohet me BDI-në, humb kuptimi i ndryshimit, humb edhe kuptimi i asaj për të cilën e kërkuam votën”, ka thënë Mexhiti.

Shkrirje në një parti?

Ai ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të shqyrtohet mundësia që partitë e VLEN-it të shkrihen në një parti të vetme.

“Të gjithë brenda VLEN-it, LD, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Vetëvendosja, e kërkojnë një gjë të tillë, pra shkrirjen në një”, ka theksuar Mexhiti.

I pyetur nëse planifikohet rikonstruktim i qeverisë para zgjedhjeve, ai ka thënë se kjo është e mundur teorikisht.

“Do të vlerësojmë se cilët janë argumentet pro e kundër”, ka shtuar Mexhiti.

Taravari: “Nuk i pëlqej ultimatumet”

Ndërkohë, edhe kreu i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, është përgjigjur nga ‘distanca’.

Taravari, i cili mban pozitën e ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë e kryeministrit Mickoski, ka mohuar se është duke bashkëpunuar me partinë e Ali Ahmetit.

“Nuk ka bashkëpunim me BDI-në, por nëse do të ketë, ai do të jetë publik, se nuk e fshehim me asnjë që bashkëpunojmë. Unë e kam thënë se nuk i iki asnjë lloj bashkëpunimi”, ka thënë Taravari.

Duke komentuar palarjmërimin për shkrirjen e katër partive në një të vetme, ai ka thënë se e përshëndet një nismë të tillë, porse, sipas tij, ASh-ja nuk ka pranuar ndonjë ftesë të tillë.

“Ne qysh në korrik të vitit të kaluar e kemi diskutuar shkrirjen e VLEN-it. Gëzohem që ata kanë rënë dakord, por Aleanca për Shqiptarët do të mbetet si subjekt që do të bashkëpunojë me ta nëse shkrihen në një parti”, ka theksuar Taravari.

Po ashtu, ai ka adresuar kritika në drejtim të partnerëve të tij në koalicionin VLEN. Sipas tij, ata para Kuvendit të djeshëm lëshuan një ultimatum për bashkëpunim.

“Unë asnjëherë në jetë nuk pranoj ultimatum, dua bisedime. Çfarë thanë ata? Nëse e pranoni këtë, mirë, nëse nuk e pranoni, ne kështu vendosim”.

Mickoski nuk merret me VLEN-istët

Përballë gjithë këtyre zhvillimeve brenda kampit shqiptar, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski ka mohuar me një “Jo” të shkurtër zërat për rikonstruktim të qeverisë.

“Në koalicion, marrëdhëniet janë shkëlqyeshëm”, i është përgjigjur interesimit të gazetarëve.

I quajtur fillimisht si Lëvizja Evropiane për Ndryshim, duke pasur si bërthamë Lëvizjen Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen Besa, ky koalicion ishte formalizuar me 17 shkurt të vitit të kaluar kur pjesë e tij ishin bërë edhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Taravarit) si dhe filiali i Vetëvendosjes në Maqedoni i përfaqësuar nga Bekim Qoku.

Kryeministri Albin Kurti si dhe njerëz të rrethit të ngushtë të tij, si Arber Zaimi e Hysamedin Feraj, ishin përfshirë aktivisht në instrumentalizimin e këtij koalicioni dhe orientimin e tij kundër BDI-së.

Në emër të ndryshimeve në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kurti nga zyra e tij, madje edhe në një tubim në Shkup, ia kishte bërë ‘aminin’ një koalicioni të tillë me pesë parti.

VLEN-i nuk u votua nga shqiptarët

Megjithë këtë mbështetje, VLEN-i kishte rezultuar jo fort i pëlqyer për votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Me vetëm 10.92 për qind të votave, ky koalicion pati një dallim të shënueshëm prej Frontit Evropian me 14.06 për qind – që përbëhej nga BDI, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, PDSh, Lëvizja Populli, dy parti turke, një boshnjake dhe një rome.

Duke e thyer rregullin e pashkruar të formimit të qeverive në Maqedoni, partia fituese maqedonase VMRO-DPMNE zgjodhi për partner qeverisës koalicionin humbës, atë që ishte përkrahur me të madhe nga Kurti dhe Vetëvendosja.

Pas formimit të qeverisë së re, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte zhvilluar disa takime me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski – që në të vërtetë ishin nga takimet e pakta të tij me liderë rajonalë e të huaj.