Ylli i Barcelonës, Raphinha, mund ta konsiderojë veten me fat pasi ai i ka shpëtuar dënimit nga La Liga pas ‘shpërthimit’ të tij me të përfunduar ndeshja ndaj Real Betisit.
Blaugranasit lëshuan një mundësi të artë për të kapitalizuar në humbjen e Real Madridit ndaj Valencias me rezultat 2-1, pasi ata nuk morën më shumë se një pikë ndaj Real Betisit.
Një barazim në Kataloni këtë vikend do të thotë se Barcelona ka zgjeruar epërsinë në katër pikë si lidere në La Liga, teksa do të rikthehen në mesjavë në aksion në Ligën e Kampionëve.
Frustrimi ishte diçka që mbizotëroi në kampin e Barcelonës gjatë minutave të fundit ndaj Betisit dhe Raphinha mbeti tejet i nervozuar pas fishkëllimës së fundit.
Reprezentuesi brazilian ishte i zemëruar me gjyqtarin Jesus Gil Manzano për shkak të vendimit të tij për t’i dhënë fund ndeshjes sapo Barcelona kishte fituar një rivënie këndore.
Raphinha iu drejtua me zë të lartë asistentit të Manzanos teksa nervozizmi i tij nuk kaloi as kur ai mori rrugën për në zhveshtore.
28-vjeçari u pa duke iu drejtuar gjyqtarit anësor me fjalët “ju nuk mund të më thoni mbylle gojën” teksa e shtyu Ter Stegenin në rrugën drejt tunelit.
Sipas një raportimi të fundit nga Mundo Deportivo, ky incident nuk ishte përfshirë në raportin e ndeshjes nga gjyqtari Manzano, me ç’rast Raphinha i ka shpëtuar një dënimi të mundshëm.
Braziliani po kalon në një formë fantastike këtë sezon me Barcelonën dhe deri më tani ka realizuar 13 gola në kampionat ndërsa ka edhe tetë asistime.