Supremja s’gjeti prova në ankesat e VV-së, KQZ-ja nesër certifikon rezultatet e zgjedhjeve

 

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke e mbyllur kështu çdo rrugë ligjore për sfidimin e tyre, të cilat më herët ishin trajtuar nga PZAP-i. Me këtë vendim, certifikimi i rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja, i paralajmëruar për nesër, do të jetë hapi final.

“Nga gjendja si më lartë me pretendimet ankimore, me asnjë provë nuk ka vihet në dyshim gjendja faktike e vërtetuar si më lartë nga ana e organit, vendimi i të cilit është kontestuar, andaj si të pa bazuara vlerësohen pretendimet e ankuesit në ankesë, përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Nga theksimet si më lartë dhe në bazë të nenit 118 paragraf 4, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.” – thuhet aty.

Pas shfrytëzimit të të gjitha instancave në sfidimin e rezultateve të shpallura zgjedhore, Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi se nesër në rend dite kanë certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore – të cilët duhet të nisin rrjedhjen e afateve kushtetuese për formimin e institucioneve të reja.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me datën 26.03.2025 ka pranuar vendimet e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me procesin ankimor ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me shpalljen e rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor nga ana e KQZ. Po ashtu, kemi pranuar konfirmimet nga këto dy institucione se nuk ka ndonjë ankesë tjetër që ka të bëjë me procesin zgjedhor që pret vendimmarrje”.

“Andaj, në zbatim të nenit 26 paragraf 1 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 08/L-117), ju njoftojmë se certifikimi i rezultatit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më datën 09.02.2025, do të bëhet më datë 27.03.2025 në ora 16:00”, thuhet në njoftim.

Kjo shënon përfundimin e fazës së kontestimeve dhe nisjen e procedurave për konstituimin e institucioneve të reja.

Lëvizja Vetëvendosje ndoqi të gjitha shkallët ligjore për të kontestuar rezultatin, duke e dërguar çështjen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) deri në instancën më të lartë – Gjykatën Supreme. Megjithatë, të gjitha ankesat u rrëzuan si të pabaza.