Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Shkodër për prezantimin e kandidatëve socialistë, foli mbi drejtësinë e re në Shqipëri dhe rolin e Partisë Socialiste në krijimin e SPAK. Ai theksoi se për herë të parë vendi po përjeton një sistem ku zyrtarë të fuqishëm japin llogari para ligjit, një realitet që dikur ishte i paimagjinueshëm.
“Ne e kemi dorëzuar shpatën e ndëshkimit dhe e kemi lënë drejtësinë të bëjë punën e saj. Dikur, drejtësia ishte nën kontrollin e pushtetit, sot është e pavarur dhe kjo është merita jonë. Altin Dumani ka qenë prokuror prej 20 vitesh, por a e kishte dëgjuar njeri më parë? Jo. Sepse më parë, drejtësia nuk funksiononte si sot”, tha Rama.
Ai nënvizoi se më 11 maj shqiptarët duhet të zgjedhin mes një të ardhmeje europiane dhe alternativave që ai i quajti të rrezikshme për vendin. Me tone ironike, Rama komentoi edhe programin e opozitës, duke thënë se disa forca politike e trajtojnë politikën si një farsë.
“Po i thosha Benetit, duhen pastruar trotuaret, se bën vaki fiton Këneta, e në 12 maj do t’i shtrojnë rrugët me qofte”, u shpreh ai me humor.
Në përfundim, Rama theksoi se zgjedhjet nuk janë thjesht një betejë politike, por një vendim për të ardhmen e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.