VV-së i refuzohet si e pathemeltë ankesa, Supremja i hap rrugë KQZ-së t’i certifikojë rezultatet

Gjykata Supreme ka rrëzuar edhe ankesën e fundit që ishte duke e shqyrtuar, atë të Vetëvendosjes për votimin me postë.

“Refuzohet e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.641/2025, të datës 19.03.2025″, thuhet në vendim.

Kështu KQZ’së i është hapur rruga për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

VV ka kërkuar anulimin e 18 mijë e 933 votave të LDK’së nga votimi me postë, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së.

Ata e kanë akuzuar LDK’së për vjedhje industriale të votës së diasporës përmes postës.

Lidhur me votimin përmes postës tashmë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.

Përveç akuzave të VV’së, ka pasur edhe reagime nga LDK. Deputeti Besian Mustafa, ka publikuar një video dhe ka thënë se VV ka manipuluar me votat e mërgatës.

“Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar”, ka shkruar ai.