Aventura e Kevin De Bruyne në Premier League është drejt fundit, ashtu sikurse është drejt fundit edhe ky cikël i Manchester City, në pritje që një tjetër të nisë po me Pep Guardiola në krye.
Në këtë cikël të ri nuk do të ketë vend De Bruyne, ndaj qëndrimi i tij në Angli është i vështirë. Shifrat e tij në këto vite me “citizens” janë të jashtëzakonshme, me 106 gola të shënuar në 409 ndeshje të luajtura dhe shumë trofe të fituar.
Për momentin nuk ka asnjë lajm në lidhje me rinovimin e kontratës së tij me mundësinë që ai të largohet në qershor si një transferim i lirë. “Ajo që po ndodh është kryesisht një çështje mes tij dhe klubit“, tha Guardiola.
Tashmë 33 vjeç, ai është duke menduar për një aventurë të re. Nëse transferimi në Arabi duket i vështirë për belgun, aktivizimi në Amerikë duket se është opsioni që ai pëlqen më shumë.
Sipas të përditshmes britanike “The Sun”, De Bruyne raportohet se po shqyrton opsionin e MLS, me lojtarin që thuhet se ka pasur bisedime me ekipin e San Diego për një transferim të lirë verën e ardhshme.