Formimi i Qeverisë së re të Kosovës ka hyrë në një periudhë diskutimesh të shumta mes partive politike, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura me 9 shkurt. Derisa partia fituese, Vetëvendosje (VV), po e pret ende certifikimin e deputetëve të zgjedhur për të filluar procesin e krijimit të institucioneve të reja, vonesat në këtë drejtim janë bërë të dukshme.
Nga kjo parti theksojnë se faji për shtyrjen e formimit të Qeverisë i takon Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), duke shtuar se pa certifikimin e deputetëve, nuk mund të ketë zhvillime të mëtejshme.
Ndërkohë, certifikimin janë duke e pritur edhe partitë opozitare. Nga LDK deklarojnë se nëse VV nuk arrin të formojë Qeverinë, çështja do të kalojë në dorën e Presidentit, i cili do të vendosë nëse do të ia japë mandatin për formimin e Qeverisë partisë së dytë.
Sidoqoftë, diskutimet për formimin e Qeverisë janë intensifikuar, ku partitë e ndryshme politike shprehin qëndrime të ndryshme për mundësitë e koalicioneve dhe bashkëpunimeve të mundshme. Ky proces i rëndësishëm pritet të ndikohet nga lëvizjet politike të ardhshme dhe vendimet që do të merren nga institucionet përkatëse, duke lënë të hapura mundësitë për zhvillime të reja politike.
Deputeti i VV-së: Faji tani bie mbi PZAP–in, duke parë kush janë deputetët e rinj të opozitës, Qeverinë e formojmë ne
Deputeti i VV-së, Halil Thaçi për FrontOnline, ka folur rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, duke thënë se fajtor për shtyrje tashmë është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP)
‘’Fakt faji për shtyerjen e formimit të Qeverisë sigurisht që po bie mbi PZAP’’, thotë ai.
Deputeti deklaron se pa pasur certifikim të deputetëve të zgjedhur, nuk ka ndonjë zhvillim të mëtutjeshëm.
‘’Pa certifikimin e deputetëve, nuk ka ndonjë zhvillim të mëtutjeshëm’’, potencon ai.
Sipas Thaçit, ata janë duke pritur certifikimin që me pas me bërë Qeverinë e re.
‘’Ne po e presim certifikimin dhe ne na takon që si parti fituese që ta bëjë Qeverinë’’, shprehet ai.
Ai shprehet i bindur se do të krijohet Qeveria e re e drejtuar nga ta, duke pasur parasysh edhe deputetët e rinj që janë zgjedhur nga opozita.
‘’Unë jam i bindur se Qeveria do të krijohet, marrë parasysh që brenda për brenda subjekteve opozitare, tashmë ka një ndryshim të madh marr parasysh figurat që kanë mbetur jashtë Kuvendit dhe atyre që kanë hyrë në Kuvend. Kjo krejt për mua më dërgon në reflektimin e votuesve të opozitës, të cilët i kanë ndëshkuar të vjetrit me të rinjtë të cilët i kanë sabotuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe gjithcka cka kanë bërë mandatin e kaluar, kanë sabotuar’’ deklaroi deputeti Thaçi për FrontOnline.
Sipas tij, deputetët e rinj do të jenë krejtësisht ndryshe nga ata të kaluarit.
‘’Deputetë e rinj të zgjedhur do kenë qasje krejtësisht ndryshe ndaj Qeverisë dhe Kuvendit. Unë nuk flas për emra të përvetshëm, por logjika ime e thotë se sigurisht që do të mbrohet e drejta dhe edhe nëse je deputet i opozitës, nuk besoj se e do bllokojnë secilin ligj në Kuvend. Opozita asnjë marrëveshje nuk e ka votuar në Kuvend’’, përfundoi deputeti Thaçi.
Muhaxhiri: Nuk kemi pasur bisedime, nëse VV nuk e formon Qeverinë, çështja kalon në dorën e Presidentes
Nënkryetari i LDK-së Gazmend Muhaxheri për FrontOnline, ka deklaruar se deri tani nuk ka pasur asnjë bisedim për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se procesi i krijimit të ekzekutivit është ende në pritje të zhvillimeve të tjera. Sipas Muhaxherit, për të nisur bisedimet e mundshme për një Qeveri të re, është e nevojshme që parlamenti të konsolidohet fillimisht.
‘’Nuk kemi pasur bisedime . Por pikë së pari duhet me u konsititu Parlamenti, pastaj nisin këto procedura’’, thotë ai.
Ai sqaroi se, nëse partia fituese, Vetëvendosje (VV), nuk mund të formojë qeverinë, atëherë çështja kalon në dorën e Presidentes së Kosovës, e cila duhet të vendosë nëse ia jep mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë ose jo.
“Nëse VV nuk e bën Qeverinë, atëherë çështja mbetët në vendim apo në tagrin (në dorën e Presidentës) a me ia jep partisë së dytë për formimin e Qeverisë, tek atëherë mundemi me bisedu”, shtoi ai
Deputetja e NISMA-s kur pyetet se a kanë biseduar me VV-në për koalicion: S’ka gjëra interesante
Deputetja e zgjedhur nga NISMA, Xhevahire Izmaku, për FrontOnline ka folur rreth formimit të Qeverisë së re dhe mundësisë së një bashkëpunimi të mundshëm VV-NISMA.
Izmaku thotë se deri më tani nuk është se ka parë gjëra interesante.
E pyetur se a ka pasur ndonjë komunikim nga VV dhe si e shihni formimin e Qeverisë se re, ajo thotë se s’ka ndonjë gjë interesante.
‘’Ende s’kam ndonjë gjë interesante’’, tha shkurt Izmaku për FrontOnline.
Matoshi: Qeverinë e re e bën opozita nëse e mbështetë SHBA-ja
Analisti politik, Halil Matoshi për FrontOnline derisa flet për formimin e institucioneve të reja dhe rreth mundësisë së partneriteve për ta formuar Qeverinë e re, thotë se deri më tani gjitha opsionet janë të mundshme.
‘’Ende janë të mundshme të gjitha opsionet’’, thotë ai.
Sipas tij, mund të ndodhë që VV të bëjë edhe me të gjithë, por edhe veç e veç me ndonjë parti opozitare Qeverinë.
‘’Që i bie VV me të gjithë veç e veç’’, thotë ai.
Por Matoshi nuk e përjashton mundësinë që Qeverinë e re ta bëjnë opozita nëse e ka mbështetjen e SHBA-së.
‘’Qeveri e oozitës së unifikuar, nëse e mbëstet ShBA!’’, u shpreh Matoshi.