Mungesë e disa ilaçeve në barnatoret private pas hyrjes në fuqi të Listës së çmimeve

Pas hyrjes në fuqi të Listës së çmimeve qytetarët kanë raportuar për mungesën e disa produkteve në barnatoret private. Nga MSh thonë se po i shfrytëzojnë mekanizmat për të evituar mungesën, ndërsa distributorët e fajësojnë MSh-në dhe listën e çmimeve.

Disa lloje të ilaçeve janë duke munguar në barnatoret private në javët e fundit. Gazeta Shneta i ka pyetur qytetarët nëse kanë hasur në mungesa dhe përgjigjet e tyre tregojnë se mungesa e barnave është evidente.

Ampulla citeral, Cap.Minocycline, Doxycycline, Omneprazol, tableta Atenelon 100mg, Orgametril, preparati Lyrica, janë disa nga produktet që po mungojnë aktualisht në tregun farmaceutik.

Disa nga qytetarët që kanë deklaruar mungesën e këtyre ilaçeve, kanë thënë se janë detyruar që të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit meqë zëvendësimet e këtyre produkteve nuk iu kryejnë punë.

“Unë s’kam mujt me gjet orgametril, i cili është zëvendësu me një prodhim nga Pakistani. Më është dashtë me shku në Shkup me ble. Edhe te na gjithmonë ka kushtu 7-8 euro, ndërsa në Shkup 3 euro e gjysmë”, ka thënë një qytetare.

Në treg poashtu është raportuar edhe mungesa e tretjeve fiziologjike NaCl. Ky produkt ka munguar edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar. Para disa ditësh në Spitalin e Mitrovicës u anuluan pesë operacione për shkak të mungesës së NaCl-së.

E fajtor për mungesën e këtyre produkteve po cilësohet Ministria e Shëndetësisë.

Sipas Shoqatës së Distributorëve Farmaceutik, arsyeja kryesore për mungesën e këtyre produkteve është çmimi i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili sipas tyre është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot reale të furnizuesve.

“Për shkak të çmimeve tejet të ulëta të miratuara (nën çmimin furnizues) nga ana e komisionit për deklarimin e çmimeve pranë MSH, furnitorëve ju është pamundësuar furnizimi permanent dhe importi i këtyre produkteve”, kanë deklaruar nga kjo Shoqatë për Telegrafin.

“Në ndërkohë, MSH ka nxjerrë një vendim të ri me të cilin distributoret farmaceutik ose BAM (Bartësit e Autorizimit të Marketingut ose përfaqësuesit e tyre) mund të aplikojnë me kërkesë për ndryshim /përmirësim të çmimit dhe ne besojmë që kjo do të na ndihmojë shumë në vazhdimësi të furnizimit dhe normalizim të tregut në përgjithësi me produkte farmaceutike”, kanë deklaruar nga shoqata.

Edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës vazhdimisht ka bërë thirrje që vendimi i ministrit për listën e çmimeve të ndryshohet, pasi i njëjti do të shkaktojë mungesë të produkteve në treg.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se janë duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ligjor për të evituar mungesën e barnave në treg.

“ Të gjithë mekanizmat ligjorë që Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion, janë duke u shfrytëzuar me qëllim që tregu farmaceutik të mbetet i furnizuar dhe qytetarët të kenë mundësi për të blerë barna të nevojshme për shëndetin e tyre”, kanë deklaruar nga MSh.

Nga MSh kanë konfirmuar se Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale, e miratuar me Vendim nr. 208/XII/2024 të Ministrit Arben Vitia ka hyrë në fuqi më datë 01.02.2025 dhe se nga kjo datë, Inspektorati Farmaceutik ka filluar zbatimin e këtij Vendimi të Ministrit, ku deri me tani janë kryer 460 inspektime në qarkullues farmaceutik me pakicë (barnatore).

“Gjatë këtyre inspektimeve, është vënë re se barnatoret janë në procesin e vendosjes së çmimeve të reja për produktet medicinale. Po ashtu, AKPPM ka vendosur çmimet sipas Listës Zyrtare në banderolat e produkteve medicinale në importet e reja.  Inspektorati Farmaceutik ka obliguar personat përgjegjës në barnatore që të zbatojnë Ligjin dhe të vendosin çmimet në produktet medicinale në përputhje me Listën Zyrtare të Çmimeve”, kanë deklaruar nga MSh. /Gazeta Shneta