Dy vite pas pavarësisë | Qëndrimet skandaloze dhe antikombëtare të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes kundër bombardimit të Serbisë nga NATO

Më shumë se një dekadë pas çlirimit të Kosovës dhe dy vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2 qershor 2010, opozitari Albin Kurti kishte mbajtur një qëndrim jo vetëm skandaloz, por dezinformues dhe mbi të gjitha edhe antikombëtar për ndëryrjen e NATO-s në Kosovë dhe bombardimin e Serbisë më 1999.

Ky qëndrim i Kurtit dhe partisë së tij, i shpërndarë në formën e një komunikate me titull “Për çfarë ka ndërhyrë NATO në Kosovë?!” nuk i shërbente aspak të vërtetës dhe as Kosovës, por më së shumti i shkonte për shtat kundërshtarëve të mëdhenj të intervenimit të NATO-s, që rezultoi me largimin e ushtrisë jugosllave nga Kosova dhe nisjen e një procesi të negociatave politike me bashkësinë ndërkombëtare, që sollën shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Përgjigjet e partisë së Kurtit në pyetjen që parashtrojnë në titullin e komunikatës ishin shokuese, shkruan Demokracia.com.

Komunikata është fshirë nga faqja e Vetëvendosjes, por ajo tashmë është e shpërndarë në të gjitha mediat.

Aktualisht, Albin Kurti është kryeministër në detyrë, pas më shumë se 5 vitesh drejtim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kurti dhe Vetëvendosje shkonin deri aty sa përforconin qëndrimin e tyre kundër intervenimit të NATO-s, duke cituar një shkrimtar serb, Vladimir Arsenijevic, i cili kishte shkruar ditarin e tij për luftën, “Mexico – Ditari i luftës”.

Aty, Arsenijevic, sipas citatit të përmendur nga Vetëvendosje, thotë se: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin duke ndihmuar që ta ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë, si dhe ta forcojë kontrollin e tij në gjithë Jugosllavinë. Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren” (faqe 121)”, thuhej mes tjerash në komunikatën e VV-së, përcjell Demokracia.com.

PËRMBAJTJA E KOMUNIKATËS

LVV-ja në këtë komunikatë thoshte se intervenimi i NATO-s nuk kishte autorizim “ab initio” të OKB-së, që nënkupton se nuk kishte miratimin nga fillimi për të ndodhur. Por, pyetja që Vetëvendosje e shtron në këtë komunikatë është se çfarë ka prodhuar ky intervenim dhe a është çliruar Kosova apo është ruajtur sovraniteti territorial i Jugosllavisë mbi Kosovën?

“Në fund të fundit, nuk është edhe aq e rëndësishme se a ka qenë ky intervenim legal, sa e rëndësishme është të zbërthehet se për çfarë në të vërtetë është bërë ky intervenim?! Është çliruar Kosova me intervenimin e NATO-s apo është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë?!”, thuhet në komunikatën e LVV-së, përcjell Demokracia.com.

LVV i referohet librit të Wesley K. Clark ku thotë se me intervenim tokësor do të shpëtoheshin më shumë njerëz dhe së këndejmi Vetëvendosje thotë se shqetësimi i NATO-s nuk ka qenë për ta zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile.

“Pra, vërehet se NATO nuk ka qenë edhe aq e shqetësuar për të zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Edhe këtë e dëshmon vetë deklarata e gjeneralit Ëesley K. Clark, komandant suprem i NATO-s gjatë bombardimeve në Kosovë, i cili thotë se ashpërsimi i dhunës dhe mizorive të forcave serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ka qenë krejt i parashikueshëm”, thuhet në këtë komunikatë.

“Pasiqë bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e preokupuar me fatin e qytetarëve të Kosovës dhe pasiqë qëllimet e saj kanë qenë qëllime humanitare, atëherë pse ajo ka vendosur që para fillimit të intervenimit të NATO-s t’i lë qytetarët e Kosovës nën mëshirën e regjimit të Millosheviqit duke e larguar KVM-në nga Kosova?!… Një shkrimtar serb, Vladimir Arsenijevic, në ditarin e tij për luftën, “Mexico – Ditari i luftës”, thotë: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin duke ndihmuar që ta ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë, si dhe ta forcoj kontrollin e tij në gjithë Jugosllavinë. Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren” (faqe 121)”, thuhej mes tjerash në komunikatën e VV-së.

Po ashtu, në komunikatën e LVV-së thuhej se intervenimi i NATO-s nuk është bërë për çlirimin e Kosovës por për ta shtrënguar Serbinë për ta pranuar planin e paqes dhe t’i garantojë NATO-s qarkullim të lirë nëpër Jugosllavi, por edhe garantim të integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë.

Sipas LVV-së, intervenimi i NATO-s është bërë që Serbia ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, por njëkohësisht sipas tyre është ruajtur edhe sovraniteti dhe integriteti territorial i Jugosllavisë.

“Intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën, por për ta shtrënguar palën serbe ta pranoj planin e paqes, e ai plan jo vetëm se ka garantuar që NATO-ja të ketë qarkullim të lirë nëpër tërë RFJ-në, por ka garantuar edhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë (qëllimi ka qenë që të ruhet paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar) dhe këtë më së miri e dëshmon dokumenti i 3 qershorit të vitit 1999 (Ahtisari dhe Çernomerdini)”, thuhej tutje në komunikatën e VV-së. / Demokracia.com /