Fushata gojë-ëmbël zgjedhore shkoi, ithtësia nxori kokën.
Për të tretën herë me radhë gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, çmimet e energjisë elektrike po shënojnë edhe një pesëmbëdhjetë pikë përqindjeje shtesë shtrenjtimi.
Në grumbullim, njëqind e tridhjetë përqind më shtrenjtë se që kur morën qeverisjen e shtetit – me votëzotim për uljen e saj.
Ymer Fejzullahu, i emëruari gjatë qeverisjes së Vetëvendosja në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që funksionon përbrenda Zyrës së Kryeministrit, doli të zbusë dhimbjen e asaj që po vjen.
Shumë e thjeshtë për të qenë e vërtetë, tha: “Nëse keni paguar 50 euro, tash 58”.
Por, energjia elektrike – barrë e madhe edhe ashtu, në veçanti gjatë sezonës së dimrit kur konsumi është më i madh – sjell reperkusionet e veta ekonomike.
Familjet dhe bizneset dërgohen në maje të tehut.
Fuqia blerëse, numër një, pritet të goditet ndjeshëm – edhe ashtu në tepojze të madhe që nga viti 2022 – ku rritja e çmimeve i ka bërë centa eurot e qytetarit të Kosovës.
Hykmete Bajrami, artikuluesja më vokale e barrës ekonomike që shkaktohet, tregon për Nacionale se si përkthehet në praktikë kjo rritje e sërishme: zvogëlohet fuqia blerëse, kosto shtesë për secilin produkt dhe shërbim “duke çuar në rritje të mëtejshme të çmimeve”.
“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë drejtpërdrejt në zvogëlimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve, jo vetëm për shkak të rritjes së faturës me 15% për ekonomitë familjare, por edhe sepse çmimi i energjisë po rritet edhe të për të gjitha bizneset. Kjo do të thotë kosto shtesë për secilin produkt dhe shërbim, duke çuar në rritje të mëtejshme të çmimeve”, tha ajo.
Dy vendimet – si prej qielli – të ZrrE’së, Bajrami i analizon në domethënësinë negative të tyre si në jetën e qytetarit të zakonshëm si në atë të bizneseve.
Për të ashtuquajturin “liberalizim të tregut”, deputetja e LDK-së ka parashikim të zymtë se në çfarë “të mire” do të konsistojë ajo – përkundrazi.
“Vendimi për të ashtuquajturin liberalizim të tregut, sipas të cilit nga 1 qershori KESCO nuk ka më obligim t’i furnizojë me energji mbi 1,000 kompani – të gjitha ato që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.
Këto kompani po detyrohen ta blejnë energjinë në tregun e hapur, gjë që nënkupton se nuk mund ta blejnë atë nga KEK-u, por duhet të blejnë energji të importuar me çmime të paktën dyfish më të larta. Si pasojë, disa kompani mund të falimentojnë, të tjera do të shkurtojnë vende pune, ndërsa të gjitha do të rrisin çmimet, duke u bërë më pak konkurruese dhe duke nxitur rritjen e importeve”.
“Rritja e çmimit të energjisë për të gjitha bizneset e tjera me 15%, një goditje e drejtpërdrejtë për kostot e tyre, e cila do të reflektohet në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë”, tha ajo.
Një nga punditët më të spikatur të çështjeve të ekonomisë, Shenoll Muharremi, në një përgjigje për Nacionale, beson se efekteket “munden me qenë shkatërruese” referuar rritjes edhe më të madhe të çmimeve, të cilat “disa prej tyre janë aktualisht mbi 100% nga ato të viteve 2020 dhe 2021”.
“Ekonomia e Kosovës nuk mundet me përballu këtë. As familjet. Kjo mesiguri, nëse ndodhë, do të shkaktoj pakënaqësi të larta shoqërore dhe do shpi në mbylljen e disa bizneseve qe ata nuk do të mund të konkurrojnë më në treg. Nuk është e vërtetë që Kosova ka cmimet më të ulëta”
“Kjo duhet të shiqohet me të hyrat e qytetarëve. Duhet të merren parasyesh GDP për kokë banori dhe standardi i jetës. Me këtë rritje, në këtë kornizë, Kosova ka cmimet më të larta në rajon e me siguri edhe në Evropë. Për atë që ka 5000 euro pagën, 100 euro faturë është vetëm 2%. E për kosovarin me 500 euro pagë është 20%”, na tha Muharremi.
Rritja e sërishme e çmimeve e që si konsekuencë ka një valë të re fryrjesh të pmieve “është opsioni më i keq i mundshëm në dispozicion”, paralajmëron Muharremi.
“Më i mirë është recesioni por edhe mos me pas energji ndonjëherë sesa me u rritë cmimet. Ka shumë opcione tjera që duhet me u konsideru”, tha ai.
Pajtimi ‘tacit’ i qeverisë…
Kjo rritje e sërishme, në bazë të Hykmete Bajramit, pa-një-pa-dy përkthehet në rëndim të ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve, do të thotë, përmes “sjelljes së një vale të re shtrenjtimi dhe e bërë jetën gjithnjë e më të papërballueshme”.
Heshtja e qeverisë është indikative në këtë drejtim, beson ajo.
“Qeveria deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim, duke treguar pajtueshmëri të plotë me këtë rritje çmimesh. Kjo është e papranueshme, sepse për katër vite nuk kemi parë asnjë politikë të vetme të kësaj qeverie në funksion të përmirësimit të ambientit të biznesit”, tha ajo.
“Politika e saj është plaçkitja e bizneseve – mbledhja e taksave pa i kthyer ato në shërbime për bizneset dhe qytetarët. Për më tepër, këto para po përdoren si “lemoshë” për ata që, për shkak të politikave të këqija të qeverisë, po varfërohen çdo ditë”, përfundon Bajrami në një përgjigje për Nacionale.