“100 zogj pulash kundër një luani”, vijon “seriali” mes Ramës dhe Bashës – Berisha e quan skenar

Lulzim Basha dhe Edi Rama kanë vijuar përplasjen mes tyre. Kreu i demokratëve Euroatlantikë publikoi një video ku akuzonte Ramën për manipulime dhe aleanca me Sali Berishën.

 “O Rame, për herë të parë në jetën tënde s’ke gënjy, është e vërtetë. 2021-shi, ishte viti i demokratëve, por jua vodhe ti, prandaj ke dashur Saliun. Se vetëm ai të mban në pushtet.” Ai gjithashtu refuzoi mundësinë e një aleance me Ramën, duke e quajtur këtë një komplot të gënjeshtrave dhe duke i thënë: “7×7 = 313 Rame”, tha Basha.

Përgjigja e Ramës nuk ka vonuar, dhe këtë herë ai ka përdorur një pjesë nga kënga e Unikatil, për ta ironizuar.

“Dëgjo dhe ndërro regjistër se ke fjetur gjatë. Duhet me t’i kujtuar ca gjona. 100 zogj pulash kundër një luani. Ik tani artist dhe mos ma qaj hallin mua se po t’i kullufit demokratët. Jo këtu bën si i fortë dhe andej rri squp. Hajde Lul, ec aty”, tha kryeministri. Rama gjithashtu e quajti Bashën një “frikacak”, duke e ftuar të dilte vetë në fushë dhe të mos mbështetej tek Berisha, i cili është 81 vjeç.

Këto përplasje në distancë janë komentuar edhe nga Sali Berisha i cili ka hedhur akuza, duke thënë se Rama po keqpërdor Lulzim Bashën për të larguar vëmendjen nga skandalet qeveritare. “Kjo është një mënyrë e Ramës për të hequr vëmendjen nga situata në Bashkinë e Tiranës. Thashë të informoj shqiptarët për të gjitha këto në mënyrë që të dinë, dhe kur shifni ju që gjithë këtë skenar përpiqet ta mbulojë me shkëmbime idilike me Lul Bravën dhe Uni Katilin. Jo kënga thotë këtë, jo kënga thotë ato.Po mund të mashtrohet një komb i tërë me gjëra të tilla. Mos u çudit për këtë që them unë. Shko e pyet nëpër redaksi se si mirren në telefon redaksitë dhe u thuhet mos ma harroni këtë idilin e ri me Bravën. Po është e vërtetë ajo, sepse mendon se në këtë mënyrë po i mbulon këto akte. Gjakëftohtësia ekstreme e një mafiozi, e padrinos, e një kryetari të organizatës kriminale, siç është Edi Rama“, tha Berisha.