Dick Marty, i njohur me akuzat e pabaza ndaj UÇK-së, e ka refuzuar ballafaqimin publik me ish-përfaqësuesin e UÇK-së, politikologun, Bardhyl Mahmuti.
Përmes një postimi në Facebook, Mahmuti shkruan se Marty e ka zgjedhur rrugën e ikjes nga ballafaqimi i fakteve për akuzat ndaj UÇK-së.
Ai ka bërë të ditur se Dick Marty përmes postës elektronike sot i ka kërkuar që të mos e kontaktojë më.
Postimi i plotë:
Dick Marty përdor argumentum ad misericordiam për t’i ikur ballafaqimit me mua
Meqenëse kishin kaluar më shumë se pesë muaj që nga koha kur Dick Marty pranoi publikisht se do të ballafaqohej me mua pasi të ketë lexuar librin tim dhe nuk kisha marrë përgjigje vendosa që t’i drejtohem përmes një letre publike.
Letra ime e datës 7 prill 2019 pati një jehonë të madhe në mediat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe në Maqedoni, të cilat i falënderoj për korrektësinë e publikimit.
Duke dashur të jem korrekt në komunikim, të gjitha publikimet në internet të mediave që kishin publikuar letrën time ia dërgova edhe Dick Martyt. Bashkëngjitjen e publikimit në internet e bëra si dëshmi se opinioni publik shqiptar është i interesuar për një debat të tillë. Dhe pikërisht publiciteti i madh që ju bë letrës sime ndikoi që më në fund Dick Marty të më kontaktojë.
Në emailin që më dërgoi sot, më 10 prill ai kërkon që të mos e kontaktoj më. Në vijim po publikoj tekstin integral të letrës së tij, sepse reagimi im që vijon nuk do të mund të kuptohet plotësisht në mungesë të saj.
Në letrën e plotë të Dick Martyt thuhet:
“Zotëri, Ende nuk e kam lexuar librin tuaj thjesht për arsye se kam qenë i sëmurë dhe nuk kam pasur ende kohë. Ju keni thënë se nuk keni mundur të më kontaktoni, por ju e keni pasur adresën time të emailit dhe pos tjerash ju keni mundur t’i drejtoheni botuesit, siç e kanë bërë dhjetëra persona të tjerë. Ju keni preferuar ta publikoni një letër të hapur para se të më drejtoheshit personalisht. Me sa shihet juve ju intereson propaganda. Unë nuk e luaj këtë lojë. Prandaj ju lus të mos më kontaktoni më. Me përshëndetjet e mia të veçanta, Dick Marty”.
Që në fillim e siguroj se nuk do ta kontaktoj Dick Marty në adresën tij private. Mirëpo ndaj të gjithë atyre që kanë shpifur dhe vazhdojnë të shpifni kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtës së Kosovës për të qenë shtet i pavarur, gjërat do t’i trajtoj publikisht derisa të zhvishet tërësisht prapavija tyre.
T’i marrim gjërat një nga një. Edhe pse publikisht pranoi se do të ballafaqohet me mua pasi të ketë lexuar librin tim, disa nga ata që e njohin mirë më thanë se ai nuk është njeri i fjalës dhe se do t’i bishtnojë ballafaqimit. Si hipotezë nuk e kam përjashtuar. Por nuk kam menduar se do të përdorë argumentum ad misericordiam për t’i ikur konfrontimit me të vërtetën.
Është fakt që ka pohuar publikisht se ka qenë i sëmurë para se t’i qasej shkrimit dhe publikimit të librit “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga), mirëpo gjithashtu është fakt i pamohueshëm se, siç e ka thënë në disa prezantime publike, ai ndihet shumë mirë. Madje gjendjen e tij e shkëlqyer e ka dëshmuar duke qenë i pranishëm në përurimin e librit të tij në shumë qytete të Zvicrës dhe në intervista televizive. Nuk u mjaftua me përurimin e librit në Zvicër por shkroi në shoqërim të delegacionit të Serbisë në Këshillin e Evropës në Strasburg dhe, pos tjerash, edhe atje e bëri përurimin e librit.
Edhe pse letra ime ruan neutralitetin e plotë duke u kufizuar në faktin se “librat tonë karakterizohen me divergjenca të mëdha lidhur me luftën në Kosovë”, ai më akuzon për propagandë! Vërtet nuk është aspak serioz!
Të gjithë ata që kanë lexuar librin tim kanë mundur të binden se nuk ka asnjë element të vetëm të propagandës. Përkundrazi, faktet janë aq bindëse sa nuk përjashtohet mundësia që të qëndrojnë në thelbin e asaj pse Dick Marty refuzon ballafaqimin.
Kur është fjala për Dick Martin dhe raportin që mban emrin e tij, katër vite më parë pata treguar me fakte se ky raport ishte përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë. U dashtë të kalonin katër vite dhe kjo çështje të ndriçohet tërësisht. Më 24 tetor të vitit 2018, gjatë përurimit të librit të tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, në televizionin serb “TV HAPPY”, ish- ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfen për mënyrën si ju dhanë Dick Martyt “provat e përgatitura nga institucionet e Serbisë për trafikimin e organeve dhe për Shtëpinë e verdhë”. (Milan St. Protic – Izvestaj Dika Martija i unisteni dokazi o zutoj kuci – DJS – TV Happy 24.10.2018, https://www.youtube.com/watch?time_continue=13&v=47bB7Ad7dZA).
Ikja nga ballafaqimi nuk është karakteristikë e atyre personaliteteve që pretendojnë se janë burra të fjalës dhe që shesin moral.
Sa më përket mua e lë të hapur mundësinë e ballafaqimit me cilindo qoftë që ka shpifur rreth luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Madje nëse do të ndihej më i sigurt, Dick Marty mund të vijë në debat së bashku me ish- ambasadorin e Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiqin dhe pjesëtarë të Shërbimit Sekret të Serbisë të cilët redaktuan raportin për gjoja “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve në Kosovë”.
P.S.Argumentum ad verecundiam është formë e gabueshme e argumentimit që dëshiron të arrijë të pranohet mendimi i tij si i vërtetë duke e shti në gjynah tjetrin.