“Ajo armë as zogun s’e vranë”, Vëllai i Haxhi Avdylit plagos aksidentalisht nipin me pushkë ilegale, Prokuroria nis hetimet ndaj tij

Vëllai i deputetit të zgjedhur Haxhi Avdyli nga Lista e Vetëvendosjes, para rreth dy javësh ka plagosur nipin e tij, djalin e Haxhiut, me një armë ilegale. Dyshohet se ndodhi aksidentalisht, por megjithatë për këtë incident nuk njoftoi Policia, as në raportin 24 orësh e as me ndonjë njoftim të veçantë.

Prokuroria Themelore në Prizren e kane konfirmuar dhe lidhur me këtë rast është iniciuar hetimi ndaj të dyshuarit në drejtim të dy veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Gazeta Sinjali, incidenti ka ndodhur më 7 mars, kur i dyshuari Naser Avdyli qëlloi aksidentalisht me një pushkë ajrore nipin e tij.

Fatmirësisht, viktima shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa Policia në Prizren u njoftua për rastin.

Arma e përdorur nga i dyshuari është sekuestruar, por që siç duket i njëjti nuk është dërguar në mbajtje lidhur me rastin.

“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lidhur me rastin prokurori i çështjes pasi që ka marrë informatën nga policia dhe ka siguruar të gjitha provat materiale, ku në bazë të tyre bëhej fjalë për plagosje aksidentale me pushkë ajrore, ka inicuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Lidhur me këtë rast është sekuestruar pushka ajrore.

Aktualisht, rasti është në punë dhe është në fazën e mbledhjes dhe grumbullimit të provave relevante, të cilat do t’i kontribuojnë ndriçimit të plotë të këtij rasti.”

Rreth rastit është deklaruar edhe Avdyli, i cili thotë se arma me të cilën është plagosur djali i tij është ‘sportive’, por më pas e pranon se i biri ka pësuar lëndime të lehta.

Ai thotë se pushka të cilën e ka përdorur Naser Avdyli, “as zogun nuk e vranë”.

“Jo, jo, nuk janë ato plagosje, ajo është armë sportive, nuk janë armë të vërteta. Normalisht ajo është plagosje e vogël. Ajo është armë sportive, e padëmshme. Janë lëndime të vogla, që nuk ka kurrfarë rëndësie. Djali është shumë mirë, ka shku në shpi menjëherë. Pra nuk është armë, është pushkë ajrore. As zogun nuk e vranë ajo, është pushkë ajrore.”

Deputeti që arriti të fitojë një mandat tjetër në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka shpërthyer në ofendime.

Edhe pse vet e konfirmoi incidentin e vëllait, ai akuzoi se po bëhen shpifje, e më pas u drejtua me fjalët “ju jeni kazan plehu, kazan i mbeturinave” dhe fjalë të tjera – e më pas e ndali telefonin.

“A kaq po iu intereson juve kjo punë a qysh. Ju a din çka jeni, qysh është puna e juaj, ju jeni veç një kazan që merreni me shpifje, që shpërndani mbeturina, qikaq ma shumë nuk jeni. Edhe ma kurrë nuk ki nevojë me thirrë. Kjo s’është plagosje. Ju jeni kazan që merreni me sene, ju Sinjali jeni kazan plehu, që veç plehnoni”. Kazan i mbeturinave që shpërndani dezinformata, I ndotni njerëzit. Edhe baju…”, ka deklaruar për Sinjalin Haxhi Avdyli.