“Pamjet e numërimit të parave në parti”, solli arrestimin e kryetarit të Stambollit

Vitin e kaluar ishin publikuar disa pamje teksa disa zyrtarë të partisë opozitare turke, CHP shiheshin duke numëruar para në një zyre.

Kjo ka bërë që të nisen hetimet gjatë vitit të kaluar, të cilat kulmohen me arrestimin e krytarit aktual të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Ministri i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, ka deklaruar se pos Imamoglut, do të arrestohen edhe 106 të dyshuar të tjerë.

“Ka 106 urdhra arresti në dy hetime. Ka akuza për ndihmën ndaj një organizate terroriste. Nuk ka privilegje për askënd përpara ligjit. Nuk është e drejtë të jepen vlerësime pa njohur përmbajtjen e dosjes. Thirrjet për protesta nuk mund të pranohen. Sistemi i drejtësisë nuk merr urdhra dhe udhëzime nga askush. Vendimi i drejtësisë, i cili do të merret nga një gjykim të paanshëm, duhet të respektohet me nder”, pohoi ministri.

Ndryshe, Prokuroria e Posaçme Publike e Stambollit ka ndarë detaje rreth hetimeve, ku është arrestuar Imamoglu.

“Si rezultat i hetimit që është hapur nga Prokuroria e Posaçme Publike lidhur me videon që u shpërnda në publik me titullin ‘Pamje të numërimit të parave në CHP’, është ngritur një padi publike, janë marrë dëshmitë e dëshmitarëve lidhur me mbledhjen e jashtëligjshme të fondeve, kryesisht në lidhje me kryetarin e Bashkisë së Stambollit dhe punët e tjera ku u dhuruan para, si dhe veprime me disa sipërmarrës, duke pastruar paratë e fituara përmes veprave penale me ndihmën e kukullave nga të cilët fituan përfitime të padrejta, dhe që përdorën civilë të quajtur ‘sefat sekretë’ për transferimin dhe mbledhjen e parave. Për më tepër, është hapur një hetim në përputhje me raportin që ka përgatitur inspektoriati i pasurive lidhur me realizimin e kontratave të tenderave dhe prokurimin publik ose kompani të lidhura”, thuhet në njoftimin e prokurorisë

Si rezultat i procesit hetimor, Prokuroria ka njoftuar se është arritur në përfundimin se “është vërtetuar se Ekrem Imamoglu, lider i një organizate kriminale të orientuar nga fitimi, emëroi individë që ishin afër tij dhe i cili ka qenë nën komandën e tij si kryetar i Bashkisë së distriktit Beylikduzu të Stambollit dhe pas kur u bë kryetar i Bashkisë së Stambollit”.

Ata theksojnë se grupi ka ndërmarrë aktivitete kriminale përmes tenderëve të jashtëligjshëm, blerjes direkte ose blerjes së shërbimeve për punë të kualifikuara në shumë degë të Stambollit, dhe se kanë kryer në mënyrë të organizuar akte ryshfeti dhe shantazhi.

Kujtojmë, vendimi për arrestimin e kryetarit të bashkisë së qytetit më të madh turk, një zonë kyçe politike, ka ardhur pas njoftimit të Universitetit të Stambollit të martën, ku thuhej se diploma e Imamoglu ishte anuluar për shkak të parregullsive, duke i shkaktuar një goditje opozitës disa ditë para se ai të duhej të zgjidhej si kandidati i saj presidencial në zgjedhjet e ardhshme.

Një detaj interesant është se vendimi për diplomën e Imamoglu vjen vetëm disa ditë përpara se pritej që ai të bëhej kandidati presidencial i CHP-së në një takim partie më 23 mars. Shumë e shohin këtë si një kërcënim nga Recep Tayyip Erdogan për ta parandaluar që të kandidojë Imamoglu.