Bashkimi Evropian duhet ta financojë qasjen e Ukrainës në shërbime hapësinore që mund të ofrohen nga kompani komerciale me bazë në vendet e BE-së, tha Komisioni Evropian në një dokument joformal rreth së ardhmes së mbrojtjes evropiane, të publikuar të mërkurën.
Evropa ka qenë në nxitim për ta mbrojtur qasjen e Ukrainës në internet, pasi disa burime të afërta me çështjen i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” muajin e kaluar se vendi i përfshirë nga lufta ballafaqohet me ndërprerje të qasjes nga kompani “Starlink” e miliarderit amerikan, Elon Musk, nëse Kievi nuk nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e mineraleve me Shtetet e Bashkuara.
Polonia, kryediplomati i së cilës ishte në qendër të një grindjeje në internet me Muskun për shkak se ka thënë që Ukrainës mund t’i nevojitet një alternativë në vend të kompanisë “Starlink”, paguan për një pjesë të qasjes së Ukrainës në shërbimet e kësaj firme.
Kompania satelitore spanjolle, “Hisdesat”, e cila është kontaktuar nga BE-ja, tha se do t’i rrisë kapacitetet komerciale dhe ushtarake mbi Ukrainë porsa të hyjë në shërbim sateliti i saj, “Spainsat NG I”.