Kombëtarja e Kosovës do t’i ketë dy sfida të rëndësishme në këtë muaj me Islandën, përmes së cilave do ta kuptojë nëse në edicionin e ri do të jetë pjesë e Ligës B apo C në Ligën e Kombeve.
E si gjithmonë, futbollistët e Kosovës do t’i kenë prapa edhe tifozët besnikë – Dardanët.
Këta të fundit përmes një videoje të shkurtër i kanë dhënë motiv ekipit kombëtar, shkruan express.
“Luajmë si një ekip. Një komb. Çdo njeri, çdo moment, çdo minutë. Ne jemi Dardanët. Ne jemi Kosova”, thuhet në videon e tifozëve zyrtarë të Kombëtares.
Dardanët kanë qenë gjithmonë prapa Kombëtares, kudo që ka luajtur ajo.
Edhe këtë radhë, ata pritet ta dhënë kontributin dhe ndihmën e tyre nga tribunat.
Kosova do t’i bëjë konak Islandës nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ndeshja e kthimit e “play-off”-it do të luhet të dielën në Murcia të Spanjës.
Ekipi që do të jetë më i suksesshëm nga ky duel i dyfishtë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve, ndërsa ekipi tjetër do të përfundojë në Ligën C në edicionin e ardhshëm.