Faqja e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit shpesh jashtë funksionit pas orarit të punës dhe në fundjavë

Faqja zyrtare e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) shpesh nuk është e qasshme pas orarit të punës, pas orës 16:00, si dhe gjatë fundjavave. Ky problem ka bërë që qytetarët dhe palët e interesuara të mos kenë akses në informatat dhe shërbimet e ofruara nga institucioni në këto periudha kohore, shkruan Demokracia.com.

E pyetur nga Demokracia.com lidhur me këtë çështje, APK ka sqaruar se aktualisht është në proces të përmirësimit të mirëmbajtjes dhe hostimit të ueb-faqes, me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore dhe të qëndrueshme.

“Tashmë kemi angazhuar një operator të ri ekonomik dhe jemi duke kaluar në platformën Cloud (Azure) për të rritur performancën dhe sigurinë e faqes sonë elektronike. Për shkak të punimeve teknike, mund të ketë vonesa ose ndërprerje të pjesshme apo të qasjes së plotë në ueb faqen e Agjencisë, veçanërisht jashtë orarit të punës dhe gjatë fundjavave. Sipas planifikimit, gjithçka pritet të jetë plotësisht funksionale nga 25 marsi 2025”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.

Përderisa përmirësimet teknike janë në proces, qytetarët që kërkojnë informacione nga APK mund të hasin në vështirësi për të aksesuar shërbimet online jashtë orarit zyrtar të punës. /Demokracia.com/