Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka lëshuar një reagim me anë të faqes zyrtare, ku sqaron situatën për ndalimin e biletave për tifozëritë e organizuara.
Kombëtarja e Shqipërisë është grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës që do t’i zhvillojë në muajin mars, ku do të përballen me Anglinë në udhëtim më 21 mars derisa tre ditë më vonë presin Andorrën në ‘Air Albania’.
Por, për ndeshjen në shtëpi, nuk do të ketë bileta të rezervuara për tifozërinë e Kombëtares ‘Tifozat Kuq e Zi’, të cilët kanë njoftuar se për herë të parë pas 21 viteve veprimtari, janë lënë pa bileta.
Lënia pa bileta e TKZ-së ka bërë që FSHF të kritikohet jashtëzakonisht shumë me vendimin, por drejtuesit e federatës shqiptare janë munduar ta arsyetojnë.
FSHF ka lëshuar një reagim gjatë ditës së sotme (e martë), ku thotë se tani do të ndjekin një praktikë evropiane, ku çdo tifozët mund të ketë mundësinë për të blerë biletë.
Postimi pa ndërhyrje i FSHF-së
Reagim i Federatës Shqiptare të Futbollit mbi sistemin e ri të shitjes së biletave
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë publikun mbi sistemin e ri të shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares, një vendim që synon të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë.
Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta. Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
FSHF vlerëson dhe respekton të gjithë ata që kanë mbështetur Kombëtaren ndër vite dhe beson se tifozëria shqiptare, në të gjithë larminë e saj, do të vazhdojë të krijojë atmosferën e zjarrtë që gjithmonë ka dalluar ndeshjet e Kombëtares sonë. Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares.
FSHF mbetet e hapur për çdo sugjerim apo diskutim që ndihmon në përmirësimin e përvojës së tifozëve dhe në forcimin e lidhjes mes ekipit Kombëtar dhe mbështetësve të tij të zjarrtë.