Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë: Përveç Serbisë, askujt nuk i bënë nder fakti që udhëheqësit e UÇK-së janë në Hagë

 

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka mbajtur fjalim emocionues në akademinë për babanë e Thaçit.

Ajo ka thënë se askujt, përveç Serbisë, nuk i bënë nder fakti që udhëheqësit e UÇK-së janë në Hagë.

Fjalimi:

I dashur Hashim, padrejtësitë politike e kombëtare, sot iu shtua edhe një padrejtësi morale e njerëzore.

Ky burrë është shembull se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet atdhetar i madh. Kjo është e mundur kur urtësia, ndjeshmëria, lidhjet e forta me njerëzit, i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndryshohen, shumëfishojnë sakrificat.

Faleminderit burrit e patriotit që na dha Hashim Thaçin, udhëheqësin politik të UÇK-së, lufta e të cilës me mbështetjen e popullit, e të Amerikës, e ka bërë Kosovën shtet të lirë.

Nuk i bënë nder askujt përveç armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e UÇK-së janë sot në shtatë penxheret në Hagë. Si viktima të një drejtësie që po bëhet iluzion, e po shkallmon vlerat, parimet e standardet e drejtësisë. I vuri vulën me ndalimin e Hashim Thaçit për t’i dhënë lamtumirën babait të vet.

Baca Haxhi në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim nga Shqipëria e nga gjithë shqiptaria.

Të kam sjell edhe një dorë dheu nga Shqipëria. Lamturmirë atit të atit të pavarësisë së Kosovës.