Bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, së bashku me homologun e Kroacisë, Ivan Anušić dhe homologun e Kosovës, Ejup Maqedonci nënshkruan të martën e 18 marsit një marrëveshje tripalëshe ushtarake.
Kjo e fundit, synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
“Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë”, u shpreh fillimisht titullari shqiptar i Mbrojtjes.
“Kemi marrë nga aleatë dhe partnerë të ndryshëm dhe shprehje interesi ditët e fundit që t’i bashkohen kësaj iniciative, sepse si dy vende anëtare të NATO-s (Shqipëria dhe Kroacia – ed.) kanë dhe një interes dhe mbështetje të posaçme ndaj Kosovës si një shtet i pavarur i cili kontribuon tashmë në sigurinë e mbarë rajonit, ishte aleat krejt i natyrshëm, jam shumë i lumtur që mundëm ta konkretizonim”, ravijëzoi zyrtari i lartë.
Bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt, vëren deklarata zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjithashtu, Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, deklaroi gjatë konferencës për shtyp se kjo marrëveshje është finalizim i përpjekjes njëvjeçare që çoi në prodhimin e një deklarate tripalëshe që i hap rrugë bashkëpunimit mes tre vendeve.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është një kërcënim ndaj askujt, por është një mesazh për të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, mes vendeve tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta. Ne jemi bashkuar për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e rajonit”, theksoi Maqedonci.
Sipas tij, rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera, veçanërisht në “aspektin e industrisë së mbrojtjes, trajnimit, edukimit të personelit ushtarak”, ndërsa adreson edhe çështjen e mbështetjes së dy vendeve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.
Titullari i Mbrojtjes në Kosovë, u shpreh në vijim se “ky dokument hap rrugë edhe për bashkëpunime të ndryshme, në fusha të ndryshme, për t’u përballur me kërcënimet moderne siç janë ato hibride”.
“E vlerësoj këtë marrëveshje si një angazhim të përbashkët, që ndodh jo shpesh në rajon. Kemi një deklaratë ndër të parat që është bërë në fushën trilaterale dhe që hap rrugë për vende të tjera që t’i bashkëngjiten kësaj nisme për paqe, stabilitet dhe më shumë siguri”, ravijëzoi Ejup Maqedonci.