Shkruan: Gëzim Saraçi
Nuk është edhe aq e lehtë të jetojmë në një shoqëri ku dukuria e shpërfaqjes së ideve dhe qëndrimeve të ngurta, shpeshherë të betonuara nga mllefi, inati e urrejtja, kanë marrë formë të natyrshmërisë. Padyshim, kjo mënyrë e të menduarit cenon mundësinë për progres, reflektim apo ndryshim, rrjedhimisht pengon mundësinë për zhvillim të mëtejshëm.
Duhet ta kemi parasysh se idetë dhe qëndrimet tona, sado të qëlluara të jenë, shpeshherë mund të krahasohen me lulet; ato lulëzojnë për një periudhë të caktuar kohore, duken të bukura, tërheqëse dhe të mbushura plot me shpresë (mbase edhe mund të jenë të tilla), por kur rrethanat ndryshojnë, ato mund të vyshken. Pra, idetë, edhe nëse janë të vlefshme në një kohë të caktuar, ato mund të kërkojnë rishikim në përputhje me zhvillimet e reja.
Megjithëkëtë, janë të shpeshta rastet kur qartazi vërehet se qëndrime e ide të caktuara mbrohen me ngulm pa asnjë argument dhe pa asnjë bazë, dhe e gjithë kjo ndodh për shkak të një inati a xhelozie, e cila mbase mund të jetë e akumuluar për një periudhë të gjatë.
Sa më shumë që ngulmojmë në mendimin “vetëm unë kam të drejtë”, aq më e vështirë bëhet mundësia e ndryshimit të qëndrimeve tona dhe mundësia për reflektim ndaj rrethanave të reja. Për më keq, është shumë më e theksuar kryeneçësia kur dikush mund të ketë pasur të drejtë njëherë për një çështje, sepse në raste të tilla ka tendencë që kjo të kthehet në një besim të patundur dhe të përhershëm: “Kam pasur të drejtë njëherë, kam të drejtë gjithmonë”. Ky mentalitet i ngurtë, jo vetëm që nuk lë hapësirë për reflektim, por shndërrohet në një pengesë serioze për zhvillimin dhe avancim shoqëror.
Reflektimi është proces thelbësor për përparimin, sepse kur rrethanat kërkojnë ndryshim, reflektimi nuk është akt tradhtie, por është akt i domosdoshëm i përgjegjësisë njerëzore, dhe mund të ofrojë mundësi për të arritur zgjidhje më të mira dhe më të përgjegjshme.
Në rast se nuk jemi të gatshëm të rishikojmë qëndrimet tona as kur rrethanat ndryshojnë, përfundojmë në një spirale të mbyllur, ku çdo ide alternative shihet si kërcënim dhe jo si mundësi për përparim.
Mënyra e ngurtë e të menduarit: “vetëm unë kam të drejtë”, përjashton çdo mundësi për ndryshim, sepse ajo fokuson energjinë në kundërshtimin e ideve të reja, dhe si e tillë është pengesë që akumulon dhe prodhon energji negative në dëm të shoqërisë.
Të reflektojmë çdoherë që e kërkojnë rrethanat, duke e kuptuar qartë se, kur ndryshojnë rrethanat reflektimi nuk është tradhti por detyrë dhe domosdoshmëri.