Ministria e Drejtësisë lidh dy kontrata për shërbime arbitrazhi, pa procedurë të hapur

Ministria e Drejtësisë (MD), e udhëhequr nga Albulena Haxhiu, ka lidhur dy kontrata të reja për shërbime të arbitrazhit, njëra për ekspertizë ekonomike dhe tjetra për ekspertizë ligjore. Vlera totale e kontratave arrin në 272 mijë euro dhe ato janë lidhur me negocim, pa publikim të njoftimit për kontratë, shkruan Demokracia.com.

Pavarësisht se kishte mundësi për të realizuar procedura të hapura, MD ka zgjedhur metodën e negocimit, duke shmangur transparencën. Të dyja kontratat janë iniciuar që në fillim të vitit.

Kontrata e Ekspertizës Ekonomike

Kontrata e parë, e titulluar “Shërbime të arbitrazhit – Ekspertizë Ekonomike”, ka një afat prej 24 muajsh ose deri në përfundim të rastit. Vlera e parashikuar ishte 265 mijë euro, por tenderi është lidhur me kompaninë britanike HKA me seli në Londër, me vlerë 250 mijë euro.

HKA është një kompani konsulence globale që ofron shërbime në zbutjen e rreziqeve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe mbështetjen e proceseve gjyqësore.

Sipas dosjes së tenderit, objektivat e kontratës për operatorin ekonomik janë:

  • Analizimi dhe studimi i dokumenteve të dorëzuara në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
  • Hartimi i ekspertizës sipas detyrave të caktuara nga Avokatura Shtetërore ose firma ligjore e kontraktuar.
  • Hartimi i raporteve të ekspertizës mbi bazën e argumenteve dhe kundërpërgjigjeve gjatë procesit.
  • Ofrimi i dëshmisë në seancën dëgjimore.

Parametrat e shërbimeve për ekspertët ekonomikë përshijnë:

  • Bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet përkatëse.
  • Informimin e vazhdueshëm të Avokaturës Shtetërore dhe firmës ligjore.
  • Raportim të rregullt mbi veprimet dhe procedurat e ndërmarra.
  • Kryerjen e shërbimeve shtesë sipas nevojave të Avokaturës Shtetërore.

Kontrata e Ekspertizës Ligjore

Kontrata e dytë, e titulluar “Shërbime të arbitrazhit – Ekspertizë Ligjore”, është lidhur me Njomeza Zejnullahun me vlerë 22 mijë euro, ndërsa MD kishte planifikuar një vlerë prej 35 mijë eurosh.

Kjo kontratë ka po ashtu afat 24 muaj ose përfundon në momentin që rasti mbyllet.

Sipas dokumentacionit të tenderit, ekspertiza ligjore do të ofrohet për:

Hartimin dhe prezantimin e raporteve të ekspertizës ligjore.

Analizimin e dokumenteve të Tribunalit të Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Hartimin e ekspertizës bazuar në argumentet e palëve.

Ofrimin e dëshmisë në seancat dëgjimore.

Bashkëpunimin e vazhdueshëm me Avokaturën Shtetërore dhe institucionet e tjera relevante.

Të dyja kontratat, pavarësisht se janë procedura të ndjeshme që ndërlidhen me mbrojtjen e interesave shtetërore në arbitrazh, janë lidhur pa transparencën e nevojshme që do të mundësonte një garë më të hapur për operatorët e interesuar. /Demokracia.com/