Krasniqi pas vizitës së Sorensenit: Kompromisi, kapitullim përballë presionit ndërkombëtar

Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka komentuar vizitën e djeshme në Prishtinë të të dërguarit të ri të BashkimitEvropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

Në intervistë për Ekonomia Online, profesor Krasniqi nënvizoi se plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit nuk janë kompromis, por kapitullim përballë presionit ndërkombëtar.

“Është një rifillim që tani për tani është vështirë të prognozohet se a do të ketë sukses për arsye se përvoja është e hidhur. E para: Bashkimi Evropian nuk e trajton si palë të barabartë Kosovën si Serbinë dhe e dyta është plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit që faktikisht formon autonominë e veriut në Kosovë. Kështu që varet prej çfarë baze do të niset ai. Ajo që deklaroi sot që tha se është një fillim i mirë, ai është diplomat, ajo çka tha deri tani nuk do të thotë asgjë. Pritet se si do të zhvillohet dinamika për të ardhmen, duke pasur parasysh edhe krizën e madhe në Serbi, por edhe krizën e madhe në qeverisjen në Kosovë. T’i kërkohet një shteti të pavarur kompromis kjo do të thotë se i kërkohet diçka që e cenon sovranitetin. Plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit realisht e kërcënojnë sovranitetin e Kosovës dhe nuk është kompromis, por është kapitullim përballë presionit që ka bërë komuniteti ndërkombëtar.”, tha Krasniqi.