Dedaj: Kurti, Osmani e Gërvalla e shkatërruan dhe nxjerrën nga binarët diplomacinë dhe marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në

Ish-ambasadori, Gjergj Dedaj, për FrontOnline ka kritikuar ashpër politikat e jashtme të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se pas pesë vitesh të pushtetit aktual, Kosova ka dështuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci.

‘’Kosova tash e pesë vite të pushtetit aktual në ikje, ka dështuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci’’ shprehet ai.

 

Dedaj ka vënë theksin tek përgjegjësitë e kryeministrit , Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe ministres të Jashtëme, Donika Gërvalla-Schwarz, siç thotë ai për shkatërrimin e politikës së jashtme të Kosovës, duke shtuar se ata e kanë shantazhuar, shkatërruar, demoluar dhe nxjerrur jashtë rrjedhave të partneritetit dhe të normalitetit politikën e jashtme të Kosovës.

‘’Kurti, Osmani dhe Schwarz si përgjegjësit kryesor të politikës së jashtme, e kanë shantazhuar, shkatërruar,demoluar dhe nxjerrur jashtë rrjedhave të partneritetit dhe te normalitetit politiken e jashtme të Kosovës’’ shton Dedaj për FrontOnline.

Në vazhdim, Dedaj ka theksuar se këta liderë, për shkak të egocentrizmit dhe populizmit vetanak, nuk kanë sjellë asnjë njohje të re për Kosovën, asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare gjatë dy mandateve të tyre dhe sipas tij  krerët e shtetit në ikje kanë dëmtuar skajshëm marrëdhëniet me partnerët kyç, si SHBA-në, Bashkimin Europian dhe NATO-n.

 

Dedaj ka përdorur edhe një frazë që e ka karakterizuar stilin e udhëheqësve të aktualshëm të Kosovës.

“Diplomacia nuk është për ‘analfabet funksional’ as për ‘hajvana’ siç thotë kryeministri në ikje Kurti, por është përgjegjësi, kulturë politike, devotshmëri dhe aftësi për të mirëmbajtur marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale me shtetet dhe popujt kudo në botë’’ u shpreh ish-ambasadori Dedaj.

Ai ka bërë thirrje për një qeveri të re që duhet të angazhojë një ekip diplomatësh me përvojë, të cilët mund të rindërtojnë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe se sipas tij qeveria e re e Kosovës duhet të formojë ekip të posaçëm diplomaresh me përvojë dhe ekspertësh për rinovimin e raporteve dhe të partneritetit me SHBA.

‘’Veq kompanive të lobimit në SHBA,duhet të angazhohen edhe shqiptaro-amerikanet dhe lobi shqiptar, por qeveria e re e Kosovës duhet të formoj ekip të posaçëm diplomatesh me përvoje dhe ekspertësh për rinovimin e raporteve dhe të partneritetit me SHBA. Të njejten gjë duhet bërë edhe në BE,duke dërguar ambasador me përvojë dhe kredibil,të aftë dhe profesiionist,e jo familjar, dajë, bashkëshort, teze, halla e militant të partive të pushtetit në ikje!’’ përfundoi ish-ambasadori Dedaj.