Qindra mijëra njerëz ia mësyen kryeqytetit të Serbisë të shtunën për të protestuar pas vdekjes së 15 personave nga shembja e një stacioni hekurudhor.
Ndonëse qeveria e Beogradit pretendioi se pjesëmarrja ishte 107,000 në të gjithë Beogradin, një monitorues i pavarur, sipas BBC, tha se 325,000 – në mos më shumë – ishin mbledhur, duke e bërë atë protestën më të madhe ndonjëherë në Serbi.
Nga ana tjetër, studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike të Universitetit të Beogradit, të cilët ndihmuan në organizimin e protestës, thanë se pjesëmarrja arriti në 800,000 njerëz.
Tubimi i së shtunës, shprehja më e madhe e pakënaqësisë publike në Serbi prej dekadash, u parapri nga një valë paralajmërimesh nga presidenti Vuçiq dhe aparati i tij i gjerë mediatik, sipas të cilëve protestuesit po planifikonin sulme të dhunshme për të provokuar një “luftë civile” dhe për të marrë pushtetin.
Që nga shëmbja e stacionit të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, zemërimi ndaj qeverisë dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq ka shkuar duke u rritur.
Protestuesit kanë drejtuar gishtin te korrupsioni masiv qeveritar për humbjen e jetëve. Sipas tyre, katastrofa pasqyron më shumë se një dekadë qeverisjeje nga Partia Progresive e Vuçiçit – i cili ishte ngushtësisht i lidhur me rinovimin e fundit të stacionit.
Sipas New York Times, nën udhëheqjen e Presidentit Joe Biden, Administrata e Presidentit Trump “nuk jep shenja se do të distancohet nga Vuçiçi”. Mediumi prestigjioz amerikan përmendi takimin e fundit mes Vuçiqit dhe djalit të Presidentit të ShBA-së, Donald Trump Jr.
Sipas The Times, kreu i qeverisë së Beogradit ishte “i inkurajuar nga shpërbërja e USAID nga Presidenti Trump”, i cili muajin e kaluar urdhëroi bastisje në zyrat e organizatave joqeveritare në Beograd, të cilat ai i ka fajësuar për nxitjen e pakënaqësisë.
Hundreds of thousands of people take to the streets of Belgrade in protest against Serbia’s president and government pic.twitter.com/gdwD1Pjktq
— Historic Vids (@historyinmemes) March 15, 2025
Presidenti Vuçiq, nga ana tjetër, iu drejtua qytetarëve të shtunën dhe lavdëroi policinë, duke shtuar se ishte krenar që “arritëm të ruajmë paqen”. Ai shtoi se “e kuptonte” mesazhin e protestuesve dhe se “duhet të ndryshojmë veten”.
Pavarësisht dorëheqjeve të shumta – dhe këmbënguljes së Vuçiqit se nuk do të largohet – protestat vetëm sa janë rritur. “Ne thjesht duam një shtet që funksionon,” tha studentja e drejtësisë Jana Vasiq për BBC-në mes turmës në rritje në Beograd.
“Duam institucione që bëjnë punën e tyre siç duhet. Nuk na intereson se cila parti është në pushtet. Por kemi nevojë për një vend që funksionon, jo për një ku nuk gjen drejtësi për më shumë se katër muaj.”