Muharremi: Më shumë se 50 milionë euro i ka marrë KEDS-i nga qytetarët e varfër të Kosovës për 4 vjet, me Tarifën Fikse Abuzive

Analisti Shenoll Muharremi, ka thënë se rreth 50 milionë euro janë zhvatur nga viti 2021 me Tarifën Fikse Abuzive për energjinë elektrike.

Ai ka thënë se KEDS merr 1 milion euro në muaj taksë nga konsumatorët, që thotë se është haraç, bakshish dhe jo që shpenzohet energji.

“E si pastaj me besu që ZRRE punon për interesa të publikut, qytetarit e konsumatorit, ashtu si e kërkon ligji? Me qito fakte? Kurrë hiç! Hiç më pak se 50 milionë euro janë marrë nga qytetari i varfër i Kosovës për 4 vjet e gjysmë nga kjo tarifë, që lirisht mundemi me quajt haraç”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i tij i plotë:

Haraçi i Rrymës: Rreth 50 Milionë Euro Zhvatje nga 2021 me Tarifën Fikse Abuzive

Përndryshe, prej qiti rregullatori të energjisë (ZRRE), që e “don” shumë popullin, qytetarët e familjet… dhe që i merr parasysh me shumë kujdes interesat e konsumatorit, i kemi edhe një “ndihmë” që na kanë bo vitet e fundit.

Shumica nuk e shikojnë faturën mirë, se janë 100 të dhëna aty, por e ke një tarifë të shkruar: 2 EURO tarifë fikse për secilin konsumator! Nuk ju intereson atyre shumë. 2 euro në muaj ti i ke gjithqysh… PLUS kostoja e tepër e shtrenjtë e rrymës që të vjen, sidomos në dimër.

E tash llogarite: 2 euro në muaj x 470,000 konsumatorë (e lexova dikund që janë kaq konsumatorë). Kjo taksë ju jep KEDS-it hiç më pak se gati 1 milionë në muaj (baksish!). Tarifë fikse, 940,000 euro në muaj!

E nëse e shohim këtë për një vit, kjo TAKSË (HARAÇ) e kap vlerën 11.3 milionë euro (vetëm bakshish, jo kosto e shpenzimit të rrymës).

E si pastaj me besu që ZRRE punon për interesa të publikut, qytetarit e konsumatorit, ashtu si e kërkon ligji? Me qito fakte? Kurrë hic!

Hiç më pak se 50 milionë euro janë marrur nga qytetari i varfër i Kosovës për 4 vjet e gjysmë nga kjo tarifë, që lirisht mundemi me quajt haraç.

Na tregoni se paku, pse e paguajmë qito ZRRE, çka ju patëm borxh qito?