Vjedhjet janë bërë një fenomen pothuajse i zakonshëm, i cili po vazhdon të shqetësojë qytetarët dhe pronarët e bizneseve të ndryshme. E cak i hajnave shpesh herë janë marketet, në të cilat vidhen gjëra të ndryshme ushqimore.
Një rast i tillë ka ndodhur pasditen e së shtunës në një market në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, ku dy të rinj janë kapur duke vjedhur produkte dhe kanë kërcënuar punonjësin e sigurimit me thikë.
Burimet e sinjalit bëjnë me dije se dje rreth orës 17:35, sigurimi i marketit në fjalë, ka vërejtur dy persona të moshës së re, të cilët dyshohet se janë të mitur, duke marrë produkte nga marketi dhe duke i fshehur në trup.
Sipas deklaratës së viktimës, në momentin kur ka tentuar t’i ndalojë të dyshuarit pranë daljes së marketit, ata janë larguar me vrap.
Gjatë ikjes, njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe ka kërcënuar punonjësin e sigurimit, duke e frikësuar për të mos i ndaluar.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet policore dhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është inicuar si “Vjedhje grabitqare”.
Ndërkaq, hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve janë duke vazhduar.