Sorenseni nesër në Prishtinë për funksionalizimin e dialogut Kosovë-Serbi

Në kuadër të përpjekjeve për të rikthyer funksionalitetin e procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Prishtinë nga 17 deri më 19 mars.

Ai do të qëndrojë në Kosovë për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut, një proces që ka ngecur për muaj me radhë. Kjo vizitë vjen pas paralajmërimeve të zyrtarëve evropianë se në mars priten hapa konkretë për ringjalljen e këtij procesi.

Kjo vizitë vjen në një kohë kur vendi i vogël ballkanik sapo ka përmbyllur procesin e ri zgjedhor. Gjithashtu, ajo vjen pas vizitës së shefit të NATO-s, Mark Rutte, i cili ka kërkuar nga të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromise.

Një nga çështjet e para që mund të diskutohet, në bazë të raportimeve, është zbatimi i deklaratës për personat e pagjetur, për të cilën Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje, por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar në shkurt se ka dëgjuar kritika rreth rrjedhës së deritanishme të procesit, ndërsa ka sugjeruar ndryshime në formatin aktual të dialogut Prishtinë-Beograd, transmeton albanianpost.

E propozime të reja për Kosovën e Serbinë ka paralajmëruar në fund të janarit edhe ish-emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, por pa dhënë detaje specifike. Në një intervistë në fund të mandatit, ai kishte njoftuar se BE-ja është duke i bërë përgatitjet për t’i rifilluar negociatat në nivel të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë.

Për vëzhguesit, duke qenë se është ende e paqartë se kur dhe si do të formohet qeveria e re e Kosovës, dhe për shkak të situatës dramatike në Serbi, ku protestat e studentëve kanë lëkundur për herë të parë pushtetin autoritar të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, nuk është realiste të pritet progres i madh gjatë pjesë së parë të vitit 2025.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një “marrëveshje historike” para dy vitesh, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma, ndërsa tensionet vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.