S’iu ndal policit, më pas shkaktoi aksident – arrestohet 18-vjeçari në Ferizaj

Me datën 14.03.2025, rreth orës 13:28, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, njësia e policisë së komunikacionit rrugor i ka dhënë shenjë për t’u ndalur një veture të tipit Mercedes me targa vendore.

Megjithatë, drejtuesi i automjetit nuk është ndalur dhe ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi të madhe.

Policia thotë se gjatë përcjelljes, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, i dyshuari ka shkaktuar një aksident trafiku duke goditur dhe dëmtuar objektin e një furre buke.

“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe i dyshuari M. Sh., 18 vjeç, është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit është iniciuar rasti për veprën ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ për procedurë të rregullt, ndërsa i janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse për mosrespektim të shenjës ‘Stop’ të policit dhe për drejtim të automjetit pa e fituar të drejtën për patentë shoferi”, tha Policia në një njoftim për media.

Policia Rajonale e Ferizajt tha se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike.