Analisti serb, Dushan Janjiq, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që presidenti serb Aleksandër Vuçiq të fusë në veprim paramilitarë nga ata që morën pjesë në sulmin terrorist të Banjkës në Kosovë kundër protestuesve ditën e nesërme.
Deklaratat e tij mbrëmë vijnë pas një raportimi të një mediumi serb që grupi që mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës ka mbërritur në Beograd dhe është i gatshëm për t’u përdorur nga presidenti serb dhe inteligjenca serbe kundër protestuesve.
Janjiq në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania tha se ka zëra se diçka e tillë mund të ndodhë në protestën e madhe që do të mbahet sot në Beograd ku protestuesit veçse janë mbledhur.
“Mund të ketë spekulime, por ajo që di është se ka disa zëra nga struktura të brendshme të inteligjencës së vendeve të tjera se diku te 800 njerëz – si njerëzit që morën pjesë në sulmin e Banjskës – janë të përgatitur, disa prej tyre nga Republika Srpska. Po ashtu, nuk duhet të harrohet se të njëjtat struktura që morën pjesë në Banjskë në Kosovë dhe tanimë janë duke folur me Dodik në Republikën Srpska, janë të trajnuar në Rusi”.
“Në Bosnjë, në Republikën Srpska në policinë e tyre janë me mijëra njerëz të mirëtrajnuar në Rusi. Nuk duhen përjashtuar incidente si ato të Banjskës. Gjëra të tilla mund të ndodhin. Nuk jam pro spekulimeve, por po flas thjesht për hipotezat. Cilat mund të ishin arsyet? Në thelb, Vuçiq është duke u përballur me një problem – që të bindë të tjerët se vërtet po ekziston një revolucion me ngjyra. Mund të kenë disa incidente nesër, megjithatë nuk është e mjaftueshme për njerëzit. Prandaj, ai ndoshta mund të ndërmarrë të njëjtat lëvizje si Millosheviqi njëherë e një kohë pas protestave të mëdha të marsit edhe pse situata ishte ndryshe atëherë, por mund të bëjmë krahasime. Pra për të shpërqendruar vëmendjen e ndërkombëtare në Republikën Srpska”.
“Lufta nuk është e mirëpritur, por ndonjëherë veprimet ushtarake i thjeshtëzojnë dhe i ulin problemet. Thjesht shikoni Kosovën për shembull, pas incidentit të Banjskës, çështja e kontrollit të territoreve në veri të Kosovës u mbyll”.