Propozimi i Zyrës së Rregullatorit te Energjisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka nxitur reagime të ashpra në vend. Rritja e çmimit të rrymës për 15 për qind nga muaji prill po shihet i papranueshëm. Derisa opozita dhe shoqëria civile kanë kritikuar Qeverinë Kurti për një gjë të tillë, qytetarët kanë filluar organizimin për të kundërshtuar shtrenjtimin.
Luan Hasanj nga “Lets do it Kosova” ka filluar fushatën “asnjecentmeshume”, ku i ka ftuar qytetarët e Kosovës që të bashkohen për të kundërshtuar këtë propozim.
Ai ka vlerësuar se rritja e çmimit të rrymës në këtë kohë është i padrejtë.
“Zyra e Rregullatorit te Energjise po propozon rritjen e cmimit te energjise elektrike per 15%. Ne nje kohe te veshtire ekonomike, kjo eshte e padrejte dhe e papranueshme! E kemi nisur fushaten #AsnjeCentMeShume per ta kundershtuar kete vendim. Bashkohuni ne grupin tone dhe ndihmoni qe zeri yne te degjohet! 1. Bashkohu ne gru. 2. Shperndaje posterin me hashtag-un #AsnjeCentMeShume. 3. Tag ZRRE dhe Qeverine e Kosoves. Ne jemi qytetaret dhe kemi te drejte te themi: Asnje cent me shume!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Kjo fushatë ka filluar të shpërndahet me të madhe në rrjete sociale.
Edhe Naim Rashiti nga Grupi i Ballkanit për Hulumtimin e Politikave ka reaguar ashpër ndaj propozimit të ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Ai ka bërë me dije se kjo mund të dërgojë drejt protestave masive qytetare.
“Rryma, politika, mungesa e zhvillimit, cmimet, arsimi, komunikacioni, dalengadale po e pergatitin ambientin per protesta masive”, ka shkruar Rashiti.
Kritikat e opozitës
Ndaj propozimit të ZRrE-së ka reaguar edhe opozita.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka treguar se kjo do të jetë hera e tretë që në mandantin e Qeverisë Kurti shtrenjtohet energjia elektrike.
Ajo ia ka rikujtuar kryeministrin Albin Kurti se kishte premtuar lirim të çmimit të energjisë.
“A ju kujtohet kur Albin Kurti premtonte lirim të çmimit të energjisë? Nën qeverisjen e tij, çmimi i energjisë po rritet për herë të tretë dhe tashmë ka kohë që është dyfishuar! ZRRE ka propozuar rritje të tarifave për 15% 📈 nga data 1 Prill, por kjo nuk është rritja e vetme këtë vit. Me vendim të ZRRE-së, KESCO ka filluar procedurat për të detyruar që të dalin në treg të hapur të gjitha ndërmarrjet që punësojnë mbi 50 punëtorë ose që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro. Kjo do të thotë rritje e shumëfishtë e tarifave për këtë kategori konsumatorësh, pasi ata do të furnizohen kryesisht nga importi i energjisë. Kjo ngase KEK-u ka obligim që energjinë e prodhuar ta ofrojë fillimisht për KEDS dhe KESCO, duke i lënë bizneset e mesme dhe të mëdha në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve më të larta”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Ajo ka treguar se cfarë do të thotë kjo për ekonominë e vendit.
“Ngritje e shumëfisht e çmimit të energjisë për bizneset e mesme dhe të mëdha; Efekte të rënda për bizneset, punëtorët dhe punëdhënësit dhe konsumatorët. Qeveria për 4 vite nuk bëri asnjë lehtësim për bizneset, përkundrazi ka rritë çmimin e energjisë, ka rritë tatimin në pronë, mbledh tatimet nga ato dhe blen vota për të qëndruar në pushtet! Liberalizimi i tregut duhet të ndodhë, por duhet gjetë mënyrën dhe kohën e duhur, përfundimisht tani as nuk është koha dhe as mënyra e duhur. Poshtë politikat kundër bizneseve!”, ka shkruar Bajrami.
Zyra e Rregullatorit për Energji dje ka bërë me dije se pritet që rritja mesatare e tarifave të rrymës për konsumatorët të jetë rreth 15 %.
Sipas një njoftimit të publikuar nga ZRrE të premten, thuhet se kanë propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
ZRrE kanë njoftuar se janë bazuar në rezultatet e raportit të tij konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, rritja mesatare e tarifave për konsumatorët pritet të tjerë 15 për qind dhe ftoi konsumatorë për konsultim publik.
“Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje, Ky publik ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat.”
“Bazuar në rezultatet e ktyrë raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%. ZRrE e konsideron konsultimin publik një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.” – thuhet në njoftim të ZRrE-së.