Trumpi thotë se Amerika pati bisedime produktive me Putinin për armëpushimin në Ukrainë

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i ka vlerësuar si “të mira dhe produktive” bisedimet e zhvilluara me presidentin rus, Vladimir Putin, mbi marrëveshjen e armëpushimit të propozuar nga ShBA-ja.

Kjo vjen pasi Putini dhe i dërguari i ShBA-së, Steve Witkoff, u takuan në Moskë të enjten mbrëma, gjatë së cilit takim shkëmbyen informacione dhe ndanë optimizmin e ShBA-së mbi një proces paqeje.

Postimi i Trumpit në rrjetin social “Truth” të premten tha se bisedimet dhanë “një shans shumë të mirë që kjo luftë e tmerrshme, e përgjakshme më në fund mund të përfundojë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, megjithatë, pohoi se përgjigja e deritanishme e Putinit tregon se Rusia dëshiron të vazhdojë luftën dhe nuk dëshiron armëpushim.

Të enjten, Putini kishte thënë se ideja e një armëpushimi ishte “e drejtë dhe ne e mbështesim atë, por ka kushte” dhe ai vendosi një sërë kushtesh të vështira për paqen, një përgjigje e quajtur “manipuluese” nga Zelensky.

Në fillim të kësaj jave, Ukraina pranoi marrëveshjen e armëpushimit të propozuar nga ShBA, për të cilën Rusia ende nuk ka rënë dakord.

Duke folur me gazetarët, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt pohoi se bisedimet midis Putinit dhe Ëitkoff në Moskë të enjten ishin “produktive”.

Ajo shtoi se Trumpi ka qenë “duke ushtruar presion mbi Putinin dhe rusët për të bërë gjënë e duhur”.