Vitet 2023 dhe 2024 qenë problematike e shqetësuese për disa nga komunat e Republikës së Kosovës, shkaku i vërshimeve të mëdha.
Me këto pamje tmerruese nëpër fshatrat e Dragashit u përballën banorët e këtushëm më 26 janar të 2024-ës.
Uji kishte marrë rrugët e fshatrave dhe qytetarët nuk arritën ta ndalonin dot që ai të mos hynte edhe nëpër oborre e bodrume të shtëpive.
Ndonëse dëmet ishin të mëdha, e madje kryeministri Albin Kurti një ditë pas vërshimeve, më 27 janar kishte dalur në terren për ta vëzhguar situatën, megjithatë edhe pas një viti, asnjë ndihmë këtij qyteti nuk iu dha.
Vërshimeve të 19 janarit të 2023-ës nuk i shpëtoi dot as Komuna e Skenderajit, e cila cilësohej si një ndër më të dëmtuarat, me vlerë të dëmit rreth 12 milionë euro, sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa, Ismet Aliut.
Dëmet më të mëdha në këtë qytet të Rajonit të Drenicës, ishin në qendër të vendit, dhe bizneset kishin pësuar më së shumti, dhe pikërisht këto ende nuk u kompensuan.
Pos janarit të 2023-ës, edhe qershori i po atij viti ishte fatkeq për Komunën e Pejës, ngase vërshimet dëmtuan shtëpitë, bizneset e veturat gjithandej vendit, duke pasuar edhe me humbje jete të dy personave.
Ndër pjesët më të prekura të kësaj komune, qenë lagjet “Asllan Qeshme” dhe “Fidanishte”. Por edhe pas një viti, kompensimi i dëmeve ende nuk u bë.
Hiç më mirë nuk ishte gjendja as në pjesën veriore të Kosovës, qytetin e Mitrovicës.
Ndonëse dëmet janë afër 8 milionë euro, në këtë qytet sipas Drejtorit për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhunit, u kompensuan vetëm disa familje por jo edhe bizneset dhe dëmet tjera.
Njëjtë si në Komunën e Mitrovicës, është situata edhe në Klinë, ku sipas Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjente, janë kompensuar vetëm familjet e dëmtuara por jo edhe dëmtimet tjera.