Një incident i rëndë ka ndodhur të enjten në mbrëmje në Prishtinë, ku një shofer është grushtuar nga një zyrtar i Policisë së Kosovës pas një shkëmbimi fjalësh dhe kërcënimesh. Zyrtari i Njësisë së Reagimit të Shpejtë, Arianit Ferati, dyshohet se e ka goditur shoferin e një veture Audi pas një tensioni gjatë një kontrolli rutinor në lagjen Tophane.
Lidhur me këtë nga Inspektorat Policor, thanë për Gazetën Insajderi se kanë rekomanduar që polici në fjalë të suspendohet.
Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Në rastin e dytë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor i cili ishte me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për të dy rastet”, thuhet në përgjigje.
Sipas një videoje të publikuar nga portali Sinjali, incidenti ka ndodhur kur shoferi ka injoruar kërkesën e zyrtarit policor për dorëzimin e sendeve ilegale dhe ka reaguar me fyerje.
Fillimisht, ai e ka ofenduar policin duke i thënë: “Kush k*** je ti?”, pastaj ka lëvizur jashtë veturës pa marrë lejen e oficerit.
Duke vazhduar, shoferi dyshohet se e ka kërcënuar me fjalë oficerin Ferati, i cili ka reaguar duke e grushtuar qytetarin. “A e din që ta çkyej fytyrën?” dyshohet se ka thënë shoferi ndaj policit.