Publikon fotot e dy vajzave që humbën jetën në aksident, kryetari i Kamenicës: Dhimbja e mëngjesit të sotëm do të na përcjell gjatë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar pas humbjes së jetës së dy vajzave të kësaj komune në një aksident komunikacioni në Ranillug, kurse një tjetër vajzë është në gjendje kritike.

Rahimaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Kamenica sot është tronditur me lajmin e kobshëm e që dy vajzat dhe studentet tona shembullore Arbnora Basha dhe Antiana Thaçi u ndanë nga ne, ndërsa Arlinda Basha po lufton me gjendjen e saj kritike”.

“Ndërsa të gjithë ne po lutemi që Arlinda, të gjejë forcë për të tejkaluar gjendjen kritike të saj. Lutjet tona janë që ajo të kthehet pranë familjes dhe shoqërisë sa më pare”, ka shkruar Rahimaj.

Tutje Rahimaj ka thënë se “për të gjithë ne që kemi pas rastin t’i njohim, ato ishin vajza shembullore, studente të dalluara dhe me vullnet dhe dëshirë për të ardhmen”.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Basha dhe Thaçi, për humbjen e papritur të më të dashurave të tyre. Bashkëndjejmë dhimbjen me Ju!  Qoftë i lehtë dheu dhe u prehshin në paqe!”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 10:00 në një aksident komunikacioni jetën dy vajza si dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore në aksin rrugor Domoroc-Hodonoc të Komunës së Ranillugut.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, është ngritur dyshimi se nuk bëhet fjalë për vet aksident, por me aksident trafiku.

Ai tha se dyshohet se drejtuesi i kamionit i vitit të lindjes 1970 si pasojë e kthimit të pasigurt ka penguar lëvizjen e automjetit i cili ishte në tejkalim, ku drejtuesja e automjetit nga mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës humbë kontrollin mbi mjet në tentativë për shmangie të goditjes së kamionit dhe përfundon e rrokullisur jashtë rrugës

Po ashtu Hashani ka treguar se i dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndalur për 48 orë gjersa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.