Conceiçao: Ka mungesë respekti ndaj meje, Leao mund të bëhet një nga më të mirët në botë

Trajneri i Milanit, Sergio Conceiçao, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Comos, duke komentuar gjithashtu Cesc Fabregas. Portugezi nënvizoi se këto ditë ka punuar edhe me psikologjinë e lojtarëve: “Ne punojmë në të gjitha aspektet. Jam shumë i kënaqur me këtë javë, ashtu siç isha para ndeshjes me Lecce.

E filluam shumë mirë kundër Lecce, pastaj në pjesën e dytë krijuam mundësi dhe shënuam tre gola. Mund të kishim shënuar edhe më shumë. Edhe skuadrat e tjera kanë cilësi, trajnerë të mirë… Këtu në Itali, asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Kampionati është më i balancuar, e thënë ndryshe edhe më i vështirë”.

A mund të jetë Leao një nga më të mirët në botë? Trajneri luzitan përgjigjet: “Po, kam folur me të. Ai ka potencialin për të qenë një nga më të mirët në botë. Ka cilësi të jashtëzakonshme dhe mund të arrijë shumë lart”.

Java e dytë pa ndeshje në mesjavë: “Është java e dytë që nuk kemi ndeshje në mesjavë dhe për ne ka qenë e rëndësishme të punojmë mbi situata taktike e fizike, për të cilat kishim nevojë. Përgjigja e grupit ka qenë fantastike. Djemtë janë të lumtur dhe po punojmë mbi aspekte të cilat nuk i kishim trajtuar më parë së bashku, kjo është e rëndësishme”.

Objektivi Champions është i arritshëm: “Ne luftojmë çdo ditë për t’u zhvilluar si skuadër. Rezultatet do të vijnë. Mendojmë për të tashmen, te dera kemi një ndeshje të rëndësishme dhe të vështirë kundër një Comoje të fortë. Nuk kam nevojë të mendoj shumë përpara. Të punoj me këta djem është kënaqësi dhe po e bëjmë me shumë intensitet. Grupi është në formë dhe ka reaguar në mënyrë fantastike gjatë këtyre dy javëve, me shpirt dhe karakter, siç u pa kundër Lecce”.

Mungon uria për sukses: “Po punojmë nga të gjitha këndvështrimet: fizik, taktik dhe emocional. Jam shumë i kënaqur me këtë javë. Kundër Lecce e nisëm mirë dhe duhet të kishim shënuar, pastaj pësuam gol në goditjen e parë të kundërshtarit. Në pjesën e dytë krijuam shumë dhe shënuam tre gola, por mund të kishim shënuar edhe më shumë. Në Itali asnjë ndeshje nuk është e lehtë, kampionati është shumë i ekuilibruar dhe i vështirë”.

Zërat e shumtë për të ardhmen: “Fjalët për të ardhmen time? Nuk janë të reja, flitet prej më shumë se një muaji e gjysmë. Unë nuk mund të kontrolloj atë që thonë dhe mendojnë të tjerët. Ajo që mund të bëj është të kontrolloj lojtarët dhe të përgatis ndeshjet. Ndonjëherë duket sikur mungon pak respekti, por jam mësuar”.

I motivuar për të mundur Fabregas, sepse është përmendur për stolin e Milanit: “Nëse ky do të ishte motivimi im, do të isha i sëmurë dhe do të duhej të shkoja në spital. Duhet të fitojmë kundër një skuadre interesante, me cilësi dhe një trajner të mirë. Motivimi ynë janë tri pikët. Duhet të kuptojmë pikat e tyre të forta dhe dobësitë. Duhet të përqendrohemi te vetja dhe fitorja. Nuk është Conceição kundër Fabregas”.

Pak kohë për të përcjellë idetë e lojës: “Kur erdha, e dija kalendarin. E dija që nuk ishte e lehtë të mbërrija në mes të sezonit me një skuadër të ndërtuar nga një trajner tjetër dhe me ide loje të vendosura nga ai”.

Leao, titullar kundër Comos: “Mund të bëhet një nga më të mirët në botë. Kam folur me të. Është shumë i gatshëm për skuadrën, është në formë të mirë. Jam shumë i drejtpërdrejtë me të dhe ai me mua. Mund të luajë nga fillimi ose gjatë ndeshjes”.

Zgjidhja për këtë Milan është afër: “Kemi punuar mirë këto javë, kemi bërë punë specifike me sulmuesit dhe të gjitha repartet. Ekuilibrin e arrin e gjithë skuadra me punë. Sulmi nis që nga portieri. Ky ekuilibër po afrohet”.

Vështirësitë mbrojtëse: “Kur kundërshtari shënon, gjithmonë ka një gabim, qoftë individual apo kolektiv. Kjo ndodh kudo. Duhet të punojmë mbi detajet. Duhet të përmirësojmë punën në fushë. Skuadra i bën tranzicionet, por duhet të kuptojmë si t’i ndalim kundërsulmet e kundërshtarëve. Punojmë çdo ditë për të përmirësuar situata të caktuara, jo vetëm në video, por tani edhe në fushë. Duhet kohë, por po punojmë në këtë drejtim”.

Loftus-Cheek, një armë më shumë për fundin e sezonit: “E njoh mirë. Deri tani nuk e kam pasur për shkak të dëmtimeve. Tani është më mirë, por ende jo 100%. Është një mesfushor shumë i fortë ‘box to box’, që mbërrin mirë në zonën kundërshtare. Fizikisht është një përbindësh, shpresoj ta kem shpejt në formën më të mirë”.

Pozicioni i Theo: “Nuk mund ta kufizoj kapacitetin e tij ofensiv, duhet ta lë të lirë dhe të gjej ekuilibrin që të mund të japë atë që dha në Lecce, të jetë vendimtar në 30 metrat e fundit, sepse e ka këtë cilësi”.

Gimenez dhe Abraham së bashku ndaj Comos: “Varet nga ndeshja dhe strategjia që kam studiuar. Mua më pëlqen të luaj me dy sulmues, por të nisim kështu nga fillimi, mendoj se jo”.