Katër të rinj janë arrestuar në kryeqytet pasi akuzohen nga policia se kanë vjedhur me dhunë një shumë të konsiderueshme parash, në një banesë të marrë me qira nga disa turiste nga Turqia.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit për vjedhjen e një shume parash dhe 2 celularëve në një banesë të marrë me qira nga 3 shtetase turke, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Brothers”, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të vjedhjes. Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit: -S. Z., 20 vjeç dhe O. Z., 18 vjeç (vëllezër); Xh. S., 20 vjeç dhe S. S., 18 vjeç (vëllezër). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me dhunë një shumë parash dhe 2 celularë, në banesën e marrë me qira nga 3 shtetaset turke”, njofton policia.
Uniformat Blu po ashtu kanë vënë në pranga një nga vajzat turke që ndodheshin në banesë. Kjo pasi 24-vjeçarja posedonte një sasi lënde narkotike kanabis. Sakaq, dy mikeshat e saj janë proceduar penalisht për “moskallëzim krimi”, raporton A2CNN.
“Në vijim të veprimeve u bë dhe arrestimi i shtetases turke M. M., 24 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të banesën e marrë me qira, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis”, informon policia.
Policia sekuestroi edhe 3350 euro, lëndën narkotike, një armë të ftohtë dhe automjetin e përdorur gjatë vjedhjes nga katër djemtë, por edhe 4 celularë.