Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Kosovë e Serbi pasi mori pozitën më 1 shkurt. Nga data 17-19 mars, ai do të qëndrojë në Kosovë, ndërsa vizita e tij në Serbi do të njoftohet më pas.
Një zyrtare e Bashkimit Europian ka konfirmuar për Gazetën Express vizitën e Sorensen në Kosovë, por nuk dha datë të saktë se kur ai do të shkojë edhe në Serbi.
“Përfaqësuesi Special i BE-së Peter Sorensen së shpejti do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë. Ai do të bëjë vizitën e tij të parë në Kosovë nga data 17 – 19 mars. Një vizitë në Serbi është planifikuar të ndodhë menjëherë pas. Do të njoftohet në kohën e duhur”, tha zyrtarja e BE-së.
Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur qe një kohë, derisa pati zhvillime edhe në terren. Në BE ndërroi udhëheqja, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet dhe ende s’ka qeveri të re, ndërsa në Serbi protestat po zmadhohen.
Një paralajmërim për ringjallje të procesit kishte ardhur nga vetë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e cila kishte thënë se bashkë me Sorensen në mars do të ulen për ta bërë funksional dialogun.
Në shkurt, Kallas kishte thënë se ka dëgjuar kritika për rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë”, kishte thënë Kallas në një bisedë të përbashkët me grupin “Redaksia Evropiane”,
“Unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë. Dhe, ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizimin”.
Ndërkaq, emisari Sorensen deri më tani ka zhvilluar një sërë takimesh përgatitore e informuese për procesin që udhëheq.
Detyra e tij kryesore, siç e kishte përshkruar Këshilli i BE-së, do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023. Ndonëse kjo marrëveshje është ligjërisht e detyrueshme për palët, pak progres është shënuar deri më tani në vënien në zbatim të saj me kritikat e shpeshta të BE-së për mungesë progresi.