Disa media të pavarura turke përballen me rrezikun e mbylljes pas ndryshimeve të algoritmit të Google, të cilat kanë shkaktuar një rënie të ndjeshme të trafikut të lexuesve, sipas një deklarate të përbashkët të këtyre mediave të enjten.
Sipas tyre, ndryshimet e algoritmit të Google që nga fundi i janarit kanë zhdukur shumicën e trafikut të lexuesve në faqet e tyre, të cilat më parë drejtoheshin përmes mjeteve të Google “Discover” dhe “News”, duke dëmtuar financat e tyre. Faqet e pavarura të lajmeve, si T24, Medyascope, Diken dhe Birgun, deklaruan se ndryshimet e Google gjithashtu kanë bllokuar qasje e publikut në lajme dhe se do të ndërmarrin veprime ligjore.
“Si organizata të pavarura mediatike që operojmë në Turqi, shpallim se do të mbrojmë të drejtat tona të korporatave, punën e punonjësve tanë dhe mbështetjen e lexuesve tanë, të cilat janë vjedhur nga veprimet e Google, në çdo platformë”, thanë ata.
Ata njoftuan se do t’u drejtohen institucioneve ligjore vendase dhe ndërkombëtare, veçanërisht Autoritetit të Konkurrencës së Turqisë, shkruan reuters.
Një zëdhënës i Google, duke kërkuar anonimitet, tha se ndryshimet nuk synojnë faqe të veçanta dhe janë krijuar për të përmirësuar shërbimin e kërkimit në përgjithësi.
“Ne nuk manipulojmë dhe nuk do të manipulojmë kurrë rezultatet e kërkimit, nuk modifikojmë produktet tona dhe nuk zbatojmë politikat tona për të promovuar ose dëmtuar ndonjë pikëpamje të caktuar”, tha zëdhënësi.
Në vitin 2024, Turqia u rendit në vendin e 158-të nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit të organizatës Reporters Without Borders. Raporti theksonte se, me rreth 90 për qind të mediave turke nën ndikimin e qeverisë, qytetarët janë drejtuar drejt mediave kritike ose të pavarura për lajme të brendshme.
Mediat e pavarura në Turqi mbështeten kryesisht te të ardhurat nga Google, pasi kompanitë private hezitojnë të reklamojnë në faqet e pavarura.
Të mërkurën, media e pavarur Gazete Duvar njoftoi mbylljen e saj, duke përmendur humbjet e të ardhurave të shkaktuara nga ndryshimet në algoritmin e Google, si dhe kushtet ekonomike shkaku i inflacionit.