AP: ShBA-ja e Izraeli kontaktojnë tri shtete afrikane për vendosjen e mundshme të palestinezëve të Gazës

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kontaktuar me zyrtarë qeveritarë të dy shteteve të Afrikës Lindore dhe një rajoni separatist për ta diskutuar shfrytëzimin e territoreve të tyre si destinacione të mundshme për vendosjen e palestinezëve që do të largoheshin nga Rripi i Gazës sipas planit të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, thonë disa zyrtarë amerikanë e izraelitë.

Kontaktet me Sudanin, Somalinë dhe rajonin separatist të Somalisë, të njohur si Somaliland, e pasqyrojnë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për ta çuar përpara planin që është dënuar gjerësisht dhe ka ngritur çështje serioze ligjore e morale. Për shkak se të tria këto vende janë të varfra, dhe në disa raste të goditura nga dhuna, propozimi gjithashtu hedh dyshime mbi qëllimin e deklaruar të Trumpit për t’i vendosur palestinezët e Gazës në një “zonë të bukur”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Zyrtarë të Sudanit thanë se i kanë refuzuar ofertat nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa disa zyrtarë të Somalisë dhe Somalilandit i thanë agjencisë “Associated Press” se ata nuk ishin të vetëdijshëm për ndonjë kontakt, transmeton nacionale.

Sipas planit të Trumpit, më shumë se dy milionë banorë të Gazës do të zhvendoseshin në një vend tjetër. Ai ka propozuar që Shtetet e Bashkuara ta marrin në pronësi enklavën palestineze, të mbikëqyrin një proces të gjatë të pastrimit dhe ta zhvillojnë atë si projekt patundshmërie.

Ideja e zhvendosjes së palestinezëve dikur cilësohej si fantazi e ekstremistëve ultranacionalistë izraelitë, por që nga koha kur Trumpi e prezantoi atë në një takim të Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e çmoi idenë si “vizion të guximshëm”.

Palestinezët në Gaza e kanë refuzuar propozimin dhe e hedhin poshtë pretendimin izraelit se largimet do të ishin vullnetare. Vendet arabe kanë shprehur kundërshtim të ashpër dhe kanë ofruar një plan alternativ për rindërtimin e Gazës pa zhvendosjen e banorëve të saj.

Duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar rreth një nisme sekrete diplomatike, zyrtarë amerikanë e izraelitë i konfirmuan kontaktet me Somalinë dhe Somalilandin, ndërsa amerikanët i konfirmuan kontaktet edhe me Sudanin. Ata thanë se është e paqartë se sa sukses është bërë me këto përpjekje ose në çfarë niveli janë zhvilluar diskutimet.

Shtëpia e Bardhë refuzoi që t’i komentonte këto kontakte. Zyra e Netanyahut dhe zyra e ministrit Ron Dermer gjithashtu nuk patën komente.