Armëpushimi në Ukrainë | Delegacioni amerikan niset drejt Rusisë

Disa zyrtarë amerikanë janë nisur për në Rusi për të diskutuar një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, sipas presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Lajmi vjen pasi zyrtarët ukrainas u pajtuan për një armëpushim 30-ditor pas një takimi të shumëpritur me zyrtarët amerikanë në Arabinë Saudite, raporton BBC.

Më herët, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se “topi vërtet është në fushën e tyre (Rusisë)” dhe se Shtetet e Bashkuara besojnë se mënyra e vetme për t’u dhënë fund luftimeve është përmes bisedimeve të paqes.

Vizita e delegacionit amerikan në Moskë vjen pasi Kremlini pretendoi se presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte vizituar rajonin rus të Kurskut, një pjesë e të cilit ka qenë nën kontrollin e forcave ukrainase që nga sulmi i befasishëm i tyre në gushtin e vitit të kaluar.

Pas takimit të delegacioneve ukrainase e amerikane në qytetin Jeddah të Arabisë Saudite të martën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se tani i përket ShBA-së që ta bindë Rusinë për t’u pajtuar me propozimin “pozitiv”.

Kremlini ka thënë se është duke e analizuar marrëveshjen e mundshme të armëpushimit dhe se mund të zhvillohet një bisedë telefonike mes presidentëve Trump e Putin.